Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta 2025 – Shtyhet afati i aplikimeve deri në datën 23 qershor

KONKURSI KOMBËTAR I BIZNESEVE TË GJELBËRTA 2025

Thirrje e hapur për aplikime deri në datën 23 qershor 2025!

 

KONKURSI I BIZNESEVE TË GJELBËRTA DHE VLERAT E TIJ

Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta synon të stimulojë e inkurajojë inovacionin për biznese të gjelbërta në nivel lokal dhe të hulumtojë rolin e filantropisë në angazhimin e komuniteteve lokale për të gjeneruar ide biznesi të bazuara në shfrytëzimin e burimeve lokale, ringjalljen e traditave të prodhimit dhe tregjeve lokale.

Përmes mbështetjes së nismave inovatore që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik lokal, Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta synon të kontribuojë në mënyrë thelbësore në ndërtimin e një rajoni të begatë, konkurrues dhe të paqtë të Ballkanit Perëndimor.

Programi siguron mbështetje financiare dhe ndihmë të planifikuar për bizneset e përzgjedhura që ofrojnë zgjidhje inovatore dhe kontribuojnë në arritjen e shtatë Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht:

  • OZHQ 2: Zero uri. Arritja e sigurisë ushqimore, përmirësimi i të ushqyerit dhe nxitja e bujqësisë së qëndrueshme.
  • OZHQ 7: Energji e Përballueshme dhe e Pastër. Sigurimi i aksesit në energji të përballueshme, të besueshme, të qëndrueshme dhe bashkëkohore.
  • OZHQ 8: Punë e denjë dhe rritje ekonomike. Nxitja e rritjes ekonomike të vazhdueshme, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, si dhe punësim dhe punë të denjë për të gjithë.
  • OZHQ 11: Qytete dhe komunitete të qëndrueshme. Kthimi i qyteteve dhe vendbanimeve në gjithëpërfshirës, të parrezikshëm, rezistues dhe të qëndrueshëm.
  • OZHQ 12: Prodhim dhe konsum i përgjegjshëm. Sigurimi i modeleve të qëndrueshme të konsumit dhe prodhimit.
  • OZHQ 13: Veprim ndaj klimës. Marrja e masave të menjëhershme për të luftuar ndryshimin klimatik dhe efektin e tij.
  • OZHQ 15: Jeta në tokë. Mbrojtja, restaurimi dhe nxitja e përdorimit të qëndrueshëm të ekosistemeve tokësore, administrimi i qëndrueshëm i pyjeve, lufta kundër kthimit të hapësirave në shkretëtirë dhe ndalimi dhe kthimi pas i procesit të degradimit të tokës dhe ndalimi i humbjes së biodiversitetit.

Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta bazohet në parimet e përgjegjshmërisë ndaj mjedisit, sjelljes etike, diversitetit, përfshirjes dhe fuqizimit, autonomisë me qëllim promovimin e mirëqenies së komuniteteve lokale, duke fuqizuar sipërmarrjen dhe duke u mundësuar njerëzve të përmbushin potencialin e tyre.

“Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta” në Shqipëri mundësohet me mbështetjen financiare të Rockfeller Brothers Fund dhe Credins Bank.

 

QËLLIMI

Qëllimi i Konkursit të Bizneseve të Gjelbërta është mbështetja e nismave të biznesit të cilat synojnë përfshirjen sociale përmes integrimit dhe punësimit, dhe zhvillimin ekonomik lokal përmes ideve miqësore ndaj mjedisit.

 

MBËSHTETJA FINANCIARE  

Çdo propozim i dërguar në këtë thirrje duhet të vijë nga një biznes në fazat e para të zhvillimit, ku produktet apo shërbimet janë të pranishme në treg prej jo më shumë se 3 vitesh. Fondi do të mbështesë propozime biznesi për një periudhe kohore gjashtë (6) deri në nëntë (9) muaj, me një financim maksimal jo më shumë se 1,000,000 lekë.

Inkurajohet bashkëfinancimi nga burime alternative!

 

KRITERET E APLIKIMIT

 

KUSH MUND TË APLIKOJË?

Konkursi është i hapur për biznesin e vogël në vend me një fitim vjetor jo më shumë se 2,000,000 lekë në vitin e fundit (2024).

 

KRITERET QË DUHET TË PLOTËSOJË APLIKIMI SI BIZNES NË FAZAT E PARA TË ZHVILLIMIT

  • Biznesi është në fazat e para të zhvillimit të tij dhe është regjistruar zyrtarisht në QKB jo më larg se tre (3) vjet nga data e shpalljes së konkursit;
  • Biznesi duhet të ketë status ‘aktiv’ të operimit të tij në momentin e aplikimit;
  • Biznesi bazohet kryesisht në përdorimin e burimeve lokale, duke përfshirë punësimin e njerëzve lokalë dhe shfrytëzimin e aftësive tradicionale;
  • Biznesi ka një vizion, apo një plan veprimi për qëndrueshmërinë mjedisore;
  • Biznesi ka një plan për qëndrueshmëri ekonomike dhe/apo rritjen e vazhdueshme;
  • Biznesi ka një qasje inovatore dhe ndikim të vlefshëm në shoqëri;
  • Biznesi bazohet në një vlerësim të tregut lokal dhe është i vetëdijshëm për konkurrentët dhe avantazhet krahasuese;
  • Biznesi është novator në krahasim me bizneset dhe nismat e tjera në komunitet;
  • Biznesi fokusohet ose kontribuon në një prej OZHQ-ve të listuara: 2, 7, 8, 11, 12, 13 dhe 15.

 

PROCESI I APLIKIMIT

 

DOKUMENTET QË DUHEN DORËZUAR

Aplikuesit duhet të dorëzojnë dokumentet si më poshtë:

  1. Forma e Aplikimit;
  2. Forma Financiare;
  3. Modeli i Biznesit ‘Canvas’;

“Forma e Aplikimit”, “Forma Financiare” dhe “Modeli i Biznesit ‘Canvas” duhet të plotësohen sipas formateve të vendosura në dispozicion nga Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta 2025. Asnjë format tjetër i ngjashëm nuk do të pranohet si dokument aplikimi në vend të tyre.

Dokumentacion plotësues që duhet dorëzuar:

Përveç dokumenteve të renditura më sipër, aplikantët do të duhet të dorëzojnë edhe:

  1. Një dokument që vërteton statusin ligjor të entitetit që aplikon: Certifikata e Regjistrimit pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe Ekstrakti Historik lëshuar nga QKB brenda datës së thirrjes për aplikime – të skanuara dhe në format PDF.
  2. Pasqyrat Financiare të vitit të fundit (2024), të dorëzuara pranë Autoritetit të Tatimeve (Drejtorisë së Tatimeve) dhe të certifikuara nga to.
  3. CV të administratorit/drejtuesit të biznesit, si dhe një përshkrim të ekipit zbatues – në format PDF;
  4. Certifikatë e Gjendjes Gjyqësore (Dëshmi Penaliteti) e administratorit/drejtuesit të biznesit, lëshuar brenda 3 muajve nga data e aplikimit – skanuar dhe në format PDF.
  5. Vërtetim nga Gjykata që administratori/drejtuesi i biznesit nuk ka çështje penale në proces në gjykatë, lëshuar brenda 3 muajve nga data e aplikimit – skanuar dhe në format PDF.
  6. Vërtetim nga Prokuroria që administratori/drejtuesi i biznesit nuk është në ndjekje penale, lëshuar brenda 3 muajve nga data e aplikimit – skanuar dhe në format PDF.
  7. Vërtetim që entiteti nuk ka detyrime të papaguara tatimore, lëshuar brenda 3 muajve nga data e aplikimit – në format PDF.
  8. Vërtetim likuidimi të taksave dhe tarifave vendore, lëshuar brenda 3 muajve nga data e aplikimit – në format PDF.

 

GJUHA

Aplikimi duhet dorëzuar në gjuhën Shqipe.

 

SEANCAT E INFORMIMIT DHE AFATET KOHORE

Për të orientuar subjektet të cilët do të shprehin interes për të aplikuar, Partnerët Shqipëri ka organizuar sesionet e informimit, lidhur me procesin dhe procedurat e aplikimit. Ndiqni regjistrimin e sesionit të informimit online në kanalin në youtube të Partnerët Shqipëri në këtë link.

Çdo pyetje në lidhje me Konkursin e Bizneseve të Gjelbërta 2025 mund të dërgohet në adresën e email-it: info@duapartnerinvest.com ose referojuni përgjigjeve të pyetjeve më të shpeshta në këtë link.

 Afati i ri i fundit për dërgimin e aplikimeve për Konkursin e Bizneseve të Gjelbërta 2025 është data 23 qershor 2025, ora 16:00!

 

SI TË APLIKONI?  

Aplikimet mund të dorëzohen vetëm duke u regjistruar në platformën Dua Partner Invest duke ndjekur hapat përkatës. Nëse nuk jeni regjistruar më parë në këtë platformë, shkoni te menu-ja ‘Sipërmarrës’, nënmenu-ja ‘Procesi’, për të parë hapat e regjistrimit në platformë.

 

Hapi 1 : 

  • Për këtë thirrje, do të regjistroheni si Sipërmarrës – Startup i Regjistruar.

 

Hapi 2:  

  • Plotësoni të gjitha fushat e pyetësorit. Te ‘Emri i Idesë’ dhe “Përshkrimi i Idesë” vendosni idenë që po aplikoni për skemën e Konkursit të Bizneseve të Gjelbërta.
  • Pasi ta dërgoni, do ju vijë një pop-up që do t’ju kërkojë verifikimin e email-it. Bëni verifikimin e email-it që keni vendosur në pyetësor.
  • Me fjalëkalimin dhe email-in që keni vendosur në pyetësorin e regjistrimit, kyçuni (sign in) në platformë dhe plotësoni te profili juaj fushën “Rreth meje” me jo më shumë se 300 karaktere. Më pas do të prisni që administratori i platformës të aprovojë profilin tuaj.
  • Pasi administratori të aprovojë profilin tuaj, do t’iu vijë një email informues për këtë. Ju lutemi kyçuni në platformë me email-in dhe fjalëkalimin e dhënë dhe mund të merrni dhe mesazhe nga administratori në rast se do të jetë e nevojshme për orientim.

 

Hapi 3:

  • Pasi të jeni aprovuar, do të gjeni në dashboard një menu “Mundësi Financimi”. Do t’ju shfaqet tek skemat “Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta 2025”.
  • Do të klikoni te butoni “Hapur” në skemën “Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta 2025” ku do të shikoni një informacion të përgjithshëm për skemën.
  • Më pas do të klikoni butonin “Apliko tani” ku do të gjeni 3 formatet e dokumenteve: 1. Forma e Aplikimit; 2. Forma Financiare; 3. Modeli i Biznesit “Canvas”.
  • Do të plotësoni fushat e aplikimit online si dhe do të shkarkoni 3 dokumentet, të cilat do t’i punoni sipas formatit përkatës dhe kur të jeni gati, do t’i ngarkoni po aty. Po ashtu, do të ngarkoni edhe dokumentat e tjera të kërkuara sipas seksionit të thirrjes “Dokumentacion plotësues që duhet dorëzuar”.
  • Më pas do të shtypni butonin “Dërgo”.
  • KUJDES! Aplikimin mund ta ruani në çdo kohë, dhe të shtypni “Dërgo” vetëm pasi të jeni të sigurtë që keni ngarkuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.

 

Hapi 4 :

  • Pas afatit përfundimtar të dërgimit të aplikimeve, ju do të merrni një e-mail automatik lidhur me statusin e aplikimit tuaj. Si në rastin që aplikimi nuk do e kalojë fazën e parë, ashtu dhe në rastin që do e kalojë atë, ju do të njoftoheni përmes platformës.
  • Edhe në rast se nuk e kaloni fazën e parë, ideja juaj do të qëndrojë në platformë për të përfituar nga mundësitë e tjera që ofron platforma.
  • Në rastin se e kaloni fazën e parë, do të prisni komunikime nga ana e Partnerëve Shqipëri me email për përgatitjen për konkursin kombëtar, ku do prezantoni idenë tuaj para jurisë.
  • Nëse keni probleme me regjistrimin apo aplikimin, kontaktoni në adresën e email-it info@duapartnerinvest.com.

 

PROCESI I PËRZGJEDHJES

Procesi i përzgjedhjes do të realizohet nga një juri ekspertësh, profesionistë të fushës së ekonomisë, mjedisit dhe biznesit.

Procesi i vlerësimit do të realizohet në tre faza:

  • Faza e parëdo të konsistojë në përzgjedhjen e propozimeve të biznesit që plotësojnë kriteret bazë të aplikimit, së bashku me dokumentacionin përkatës. Përzgjedhja e kandidatëve që kalojnë fazën e parë do të bëhet nga Partnerët Shqipëri.
  • Faza e dytëdo të konsistojë në organizimin e një konkurrimi të hapur publik të kandidatëve që kanë kaluar fazën e parë. Gjashtë propozime biznesi do të përzgjidhen fituese nga një juri e pavarur ekspertësh.
  • Faza e tretë do të konsistojë në një proces verifikimi në terren dhe më pas negocimi të buxhetit, nëse është e nevojshme.

Shpallja fitues nga Konkursi, nuk përbën detyrim për financim nga ana e Partnerëve Shqipëri. Akordimi i grantit është i kushtëzuar nga kalimi me sukses i të gjitha fazave të procesit.

 

Konkurrimi në nivel rajonal:

Tre ide biznesi që do të përzgjidhen fituese në konkursin kombëtar do të konkurrojnë në konkursin rajonal “Balkan Green Ideas”, për fonde shtesë.

 

KALIMI I GRANTIT

Kalimi i grantit te fituesit do të bëhet me rimbursim, pas paraqitjes së faturave dhe dokumentacionit shoqërues për shpenzimet e kryera sipas zërave të buxhetit të miratuar dhe përcaktuar në kontratën e grantit dhe sipas afateve kohore të përcaktuara në kontratë.

Forma e Aplikimit Shkarko
Forma Financiare Shkarko
Modeli i biznesit Canvas Shkarko