Zhvillohet eventi i pestë LIVE crowdfunding “Rrathë Dhurues Shqipëri“

Eventi i pestë LIVE crowdfunding “Rrathë Dhurues Shqipëri” që organizuam mbrëmjen e 6 dhjetorit, u shoqërua me emocione të veçanta të përfaqësuesve të katër kauzave sociale, që do të adresojnë çështje të komuniteteve në nevojë në Shupenzë, Korçë, Fushë Krujë, dhe Shkozë.
Të frymëzuar nga mesazhet e përcjella, individët dhe institucionet pjesëmarrëse ofruan mbështetjen e tyre, duke filluar nga kontributet monetare, materiale dhe ofrim i ekspertizës profesionale.
Shuma e arritur prej 2,306,505 Lekë tejkaloi objektivin e synuar prej 1,200,000 Lekë në mbështetje të katër kauzave sociale, ndërkohë që kontributet do të vijojnë.
Përfaqësuesit e organizatave zbatuese shprehën mirënjohjen e tyre dhe treguan se si këto dhurime do të ndikojnë drejtpërdrejt në zbatimin e iniciativave që konsistojnë:
– Në mjediset e shkollës së mesme “Rifat Manjani”, Shtupezë, Bulqizë, do të krijohet një klasë burimore me materiale të përshtatshme didaktike, si dhe aktivitete të personalizuara për të zhvilluar jo vetëm inteligjencën, por edhe aftësitë sociale e emocionale të fëmijëve me nevoja të veçanta. Nisma është ndërmarrë nga Shoqata e Natyrës dhe Turizmit Bulqizë
– Rreth 100 fëmijë të grupmoshës 6-15 vjeç në qytetin e Korçës do të përfitojnë nga programet e dedikuara, të ofruara në 3 qendrat ditore për fëmijë, si dhe do të ofrohen trajnime për prindërit e tyre mbi aftësitë për jetën. Nisma është ndërmarrë nga Misioni Emanuel
– Projekti për rivitalizimin e ‘Sheshit Domino’ do të transformojë këtë hapësirë në një zonë të sigurtë dhe tërheqëse për të gjithë komunitetin. Përmes përpjekjeve të banorëve, veçanërisht të të rinjve, synohet përmirësimi i mjedisit, sigurisë dhe krijimi i një qendre të re për aktivitete kulturore. Nisma është ndërmarrë nga Porta Rome Për Integrim
– “Kutia e periodës së parë” do të konsitojë në ndërtimin dhe shpërndarjen e kutive të periodës së parë për vajzat, trajnime informative dhe ndërtimin e një kulture të hapur dhe mbështetëse rreth shëndetit riprodhues në komunitetin e zonës së Shkozes, në Tiranë. Nisma është ndërmarrë nga Institute for Strategic Development
Evente të tilla kanë fuqinë e jashtëzakonshme të shfaqin ndjeshmëri dhe transformim brenda secilit individ, duke lënë një ndikim të thellë në komunitetet që përfitojnë nga këto dhurime e mbështetje.
Falenderim dhe mirënjohje nga zemra të gjithëve për kontributin!
Rrathë Dhurues 2023 u mbështet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Rockefeller Brothers Fund, The Funding Network, dhe Frederick Mulder Foundation.
Iniciativat e mbështetura Shkarko