THIRRJE PËR SHPREHJE INTERESI: “PROGRAMI I SHKËMBIMIT TË OJF-VE”

Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim hap thirrjen për shprehje interesi për OJF-të e interesuara për të marrë pjesë në “Programin e Shkëmbimit të OJF-ve”.

“Programi i Shkëmbimit të OJF-ve” vjen si një risi në vijim të punës sonë disa vjecare në mbështetje të zhvillimit, qendrueshmërisë dhe përfshirjes së sektorit të OJF-ve në procese politikëbërëse dhe vendimarrëse.

Programi do të zbatohet në Tiranë, në dy raunde, si pjesë e të cilave do të përzgjidhen rreth 30 OJF, kryesisht organizata të reja, të cilat kanë selinë dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre jashtë Tiranës.

Pesëmbëdhjetë (15) organizatat e përzgjedhura nga kjo thirrje e parë do të ndjekin programin i cili do të organizohet gjatë datave 13 – 16 qershor 2023.

Programi zbatohet në kuadër të projektit “Për një shoqëri civile më të fuqizuar, të adaptueshme dhe të qendrueshme” mbështetur financiarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

 

VËSHTRIM I PËRGJITHSHËM

Advokimi dhe pjesëmarrja në proceset politikëbërëse e vendimmarrëse janë shtylla kryesore të përpjekjeve të shoqërisë civile për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe adresimin e nevojave të tyre pranë institucioneve të qeverisjes qendrore dhe vendore.

Studimet dhe raportet në vend theksojnë rëndësinë e ekzistencës së standardeve që mundësojnë përfshirjen efektive të OJF-ve në procesin e politikëbërjes dhe vendimarrjes, si dhe forcimin e bashkëpunimit të institucionalizuar ndërmjet shoqërisë civile dhe institucioneve publike dhe private. Nga ana tjetër, angazhimi efektiv i OJF-ve në qeverisjen me pjesëmarrje dhe zbatimin e nismave të suksesshme advokuese kërkon njohuri dhe informacion të përditësuar mbi strukturën organizative të institucioneve publike, funksionet dhe përgjegjësitë e tyre, si dhe aftësitë drejtuese e komunikuese. Si e tillë, zhvillimi i kapaciteteve të  OJF-ve për të hartuar dhe zbatuar fushata efektive advokuese për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të qytetarëve është një nevojë e vazhdueshme e me rëndësi të veçantë.

Raporti i Vlerësimit të Kapaciteteve dhe Nevojave të organizatave të Shoqërisë Civile në Shqipëri si dhe raportet rajonale vlerësojnë se përpjekjet e advokimit të OJF-ve në politikëbërje përkufizohen si pak efektive. Kapacitetet e OJF-ve në këtë drejtim raportohen të dobëta veçanërisht ato që ushtrojnë veprimtari në qytetet e vogla dhe zonat rurale. Për më tepër, theksohet mungesa e njohurive të OJF-ve mbi mekanizmat aktual të bashkëpunimit OJF-shtet dhe OJF-sektori privat.

Gjithashtu, një nga shqetësimet e shprehura më së shumti nga OJF-të që punojnë jashtë Tiranës, është mungesa e aksesit dhe bashkëpunimit me institucionet shtetërore, në nivel qendror, si dhe nevoja për tu rrjetëzuar në nivel vendi. Nevoja për shkëmbim të vazhdueshëm me OJF me më shumë përvojë në nisma advokuese, shihet si një domosdoshmëri për transferimin e njohurive nga këto OJF tek ato më të reja.

 

 

QËLLIMI DHE OBJEKTIVAT E PROGRAMIT

“Programi i Shkëmbimit të OJF-ve” synon të kontribuojë në fuqizimin e kapaciteteve të sektorit, rritjen e aksesit dhe bashkëpunimit ndërmjet OJF-ve dhe institucioneve publike, private në procesin e hartimit dhe zbatimit të nismave advokuese ne vend me qëllim adresimin e nevojave të grupeve të interesit të cilave ju shërbejnë.

Programi do të ndikojë në një nivel më të lartë përfshirje të  OJF-ve në procese konsultuese, politikëbërëse dhe vendimarrëse.  Gjithashtu ai do të ndikojë në njohjen më të mirë të punës së sektorit jofitimprurës nga ana e institucioneve në nivel vendor dhe qendror duke sjellë më pranë sektorët me njëri tjetrin dhe adresimin në kohë të cështjeve të identifikuara.

Programi adreson hendekun e aksesit dhe pjesëmarrjes, që organizatat ndeshin me institucionet politikëbërëse dhe vendimmarrëse si në nivel vendor dhe mbi të gjitha në nivel qendror.  Programi do të ndikojë në:

  • Rritjen e njohurive mbi rëndësinë e zhvillimit dhe qendrueshmërisë organizative si një mënyrë efektive për të adresuar çështjet në fokus;
  • Njohjen dhe ekspozimin më të madh ndaj kompetencave të vendimmarrjes dhe ciklit të politikëbërjes në nivel qendror;
  • Rritjen e aksesit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërsektorial;
  • Fuqizimin e rrjetëzimit dhe partneritetit me OJF të tjera.

 

 

AKTIVITETET DHE PRITSHMËRITË NGA PROGRAMI

“Programi i Shkëmbimit të OJF-ve” do të jetë një kombinim i leksioneve të diskutimit me ekspertë e përfaqësues të institucioneve, dhe vizitave në institucione publike, private dhe OJF partnere. Gjithashtu, OJF-të e përzgjedhura në program pritet të zbatojnë njohuritë e fituara në nismat e tyre lokale. Aktivitetet e planifikuara nga PSH do të jenë:

  • 4 (katër) leksione të hapura me ekspertë rreth çështjeve të zhvillimit dhe qendrueshmërisë organizative; 
  • 14 (katërmbëdhjetë) vizita në institucione publike, private, dhe organizata jofitimprurëse. Qëllimi i vizitave është ekspozimi ndaj praktikave më të mira të përfshirjes në procese me pjesëmarrje dhe rritja e sinergjisë dhe bashkëpunimit ndërsektorial.

 

Programi

 

Pritshmëritë nga programi  

  • Pjesëmarrësit duhet të plotësojnë autorizimin për përdorimin e të dhënave personale dhe fotografive;
  • Pjesëmarrësit duhet të plotësojnë formën e vlerësimit në përfundim të vizitës së shkëmbimit;
  • Brenda 3 muajve nga pjesëmarrja në program, pjesëmarrësit priten të ndajnë përfitimet e tyre nga programi me një videomesazh;
  • Pjesëmarrje aktive në forume diskutimi dhe forumet online të krijuara mbi Programin e Shkëmbimit të OJF-ve.

 

 

KRITERET PËR TË QENË PJESËMARRËS NË PROGRAM 

“Programi i Shkëmbimit të OJF-ve” është i hapur kryesisht për punonjës të OJF-ve të reja, të cilat kanë selinë dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre jashtë Tiranës, dhe plotësojnë kriteret e mëposhtme:

  • Të jenë shtetas shqiptar;
  • Të jenë të moshës 23 – 40 vjeç;
  • Te jenë punonjës me kohë të plotë dhe të kenë rol manaxherial në organizatë;
  • Të jenë të përkushtuar dhe angazhuar që të ndjekin të plotë programin e shkëmbimit;
  • Të jenë të përkushtuar për të vënë në zbatim njohuritë e fituara nga programi.

Parimi i pranimit në program: Kush aplikon i pari, shërbehet i pari!

 

 

KUSHTET DHE PROCESI I APLIKIMIT

15 pjesëmarrës do të përzgjidhen të marrin pjesë në raundin e parë të “Programit të Shkëmbimit” të OJF-ve. Programi mbulon të gjitha kostot e pjesëmarrjes (akomodimi, shpenzime udhëtimi, ushqimi).

Të gjithë kandidatët e interesuar duhet të plotësojnë dhe dërgojnë dokumentacionin e mëposhtëm si pjesë e paketës së aplikimit:

  1. Formën e aplikimit
  2. Jetëshkrimi i aplikantit (CV)
  3. Statuti i organizatës
  4. Nipti i organizatës
  5. Vërtetim i pozicionit të punës në OJF

Aplikimet do të dërgohen në adresën erexhepi@partnersalbania.org duke specifikuar tek Subjekti: Aplikim – Programi i Shkëmbimit të OJF-ve.

Afati i fundit i aplikimit është data 28 maj 2023!

 

 

PYETJE PËRGJIGJE RRETH APLIKIMIT

Çdo pyetje në lidhje me Programin e Shkëmbimit të OJF-ve mund të dërgohet brenda datës 15 maj 2023 në adresën e email-it: erexhepi@partnersalbania.org.

Përgjigjet do të publikohen në datën 19 maj 2023, në faqen e internetit të Partnerëve Shqipëri: www.partnersalbania.org

 

Forma e aplikimit Download