Pyetjet më të shpeshta lidhur me thirrjen për aplikime të Konkursit të Bizneseve të Gjelbërta

Partnerët Shqipëri ka hapur Thirrjen për Aplikime në kuadër të Konkursit të Bizneseve të Gjelbërta 2023.  Më poshtë gjeni disa pyetje të bëra shpesh dhe përgjigjet përkatëse në lidhje me këtë Thirrje. Pyetjet dhe përgjigjet do të rifreskohen vazhdimisht deri në përmbyllje të afatit të aplikimeve.

 

Pyetje 1: Ku mundem të aksesoj formularët e aplikimit për “Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta 2023” ?

Përgjigje 1:
Aplikimet mund të dorëzohen vetëm duke u regjistruar në platformën Dua Partner Invest duke ndjekur hapat e përkatëse.

  • Pas regjistrimit në platformë duke krijuar një llogari/profil sipas specifikave të aplikantit, si dhe pas aprovimit të profilit nga stafi i platformës, duhet të kyçeni në profilin tuaj në platformë. Në dashboard do të gjeni një menu “Mundësi Financimi”, ku do t’ju shfaqet tek skemat edhe “Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta 2023”.
  • Do të klikoni te butoni “Hapur” në skemën “Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta 2023” ku do të shikoni një informacion të përgjithshëm për skemën.
  • Më pas do të klikoni butonin “Apliko tani” ku do të gjeni 3 formatet e dokumenteve: Forma e Aplikimit; 2. Forma Financiare; 3. Modeli i Biznesit “Canvas”.
  • Do të plotësoni fushat e aplikimit online si dhe do të shkarkoni 3 dokumentet, të cilat do t’i punoni sipas formatit përkatës dhe kur të jeni gati, do t’i ngarkoni po aty. Nëse jeni të regjistruar si biznes apo si OJF, do të ngarkoni dhe  Dokumentin që vërteton statusin ligjor të entitetitdhe 5. Pasqyrat Financiare për vitin e fundit.
  • Më pas do të klikoni butonin “Dërgo”.

KUJDES! Aplikimin mund ta ruani në çdo kohë, dhe të shtypni “Dërgo” vetëm pasi të jeni të sigurtë që keni ngarkuar të gjithë informacionet e nevojshme. 


Pyetje 2: Profilin në platformë më del i pa kompletuar. Si mund ta zgjidh?

Përgjigje 2:
Ju mund të përditësoni informacionin në profilin tuaj në platformën Dua Partner Invest në çdo kohë dhe më pas të shtypni butonin “Përditëso”. Të gjitha ndryshimet e realizuara në informacionin e ofruar do të miratohen fillimisht nga ekipi i platformës, përpara shfaqjes së tyre për anëtarët/komunitetin e platformës, kështu që sigurohuni që informacioni që keni plotësuar të jetë i saktë dhe konsistent.
Bëni kujdes në ndjekjen e të gjitha udhëzimeve dhe respektimin e kritereve (veçanërisht në lidhje me gjatësinë e fjalisë/karaktereve) gjatë plotësimit të informacionit. 


Pyetje 3: Jam regjistruar në platformë por nuk arrij që të aksesoj Konkursin e Bizneseve të Gjelberta, pasi nuk shfaqet si mundësi.

Përgjigje 3:
Pas regjistrimit të profilit në platformë dhe pas verifikimit të link-ut të dërguar në adresën tuaj të email-it (postës elektronike), ju do të duhet të prisni aprovimin e profilit nga stafi i platformës. Ju do të lajmëroheni me email për ndryshimin e statusit të regjistrimit tuaj. Vetëm pas këtij hapi do të keni akses në dashboard ku do të gjeni një menu “Mundësi Financimi”, në të cilen do t’ju shfaqet tek skemat edhe “Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta 2023”.


Pyetje 4: Në lidhje me financimin e Lotit të parë: Në rastin e fituesit, fondi për mbështetje jepet në fillim dhe pastaj çdo shpenzim vërtetohet me fatura, apo shpenzimi duhet të bëhet si fillim nga fituesi e pastaj do të rimbursohet?

Përgjigje 4:
Kalimi i grantit të fituesit do të bëhet me rimbursim, pas paraqitjes së faturave për shpenzimet e kryera sipas zërave të buxhetit të miratuar dhe përcaktuar në kontratën e grantit, dhe sipas afateve kohore të përcaktuara në kontratë.