PARTNERËT SHQIPËRI BËHET PARTNER REFERUES I PLATFORMËS “TECH TO THE RESCUE”

Duke njohur rëndësinë e teknologjisë në epokën dixhitale, Partnerët Shqipëri ka zhvilluar platforma të ndryshme dixhitale që lidhin aktorët e shoqërisë civile, sipërmarrjet sociale, dhe audienca të tjera të synuara me palët e interesuara në fusha specifike të punës së tyre.

Pjesë e mbështetjes për sektorin është edhe mundësimi i aksesit të sektorit në mjete dixhitale, si një mënyrë për të rritur efikasitetin e punës së tyre dhe komunikimin me grupet të cilave u shërbejnë.

Kemi kënaqësinë të njoftojmë se Partnerët Shqipëri është bërë partner referues i  Tech To The Rescue, një platformë globale që lidh organizatat jofitimprurëse që kanë nevojë për asistencë teknologjike, me kompanitë e IT-së që janë të gatshme ta ofrojnë atë falas apo me tarifa të reduktuara. Që nga viti 2020, TTTR ka ndihmuar në ofrimin e mbi 420 projekteve teknologjike për organizata jofitimprurëse në më shumë se 60 vende, me një ndikim tek rreth 5 milionë jetë. Komuniteti i tyre ka aktualisht më shumë se 1200 kompani IT të gatshme për të dhuruar kohën dhe aftësitë e tyre për kauza të mira sociale.

Partnerët teknologjikë të TTTR mund të ndihmojnë organizatat jofitimprurëse me krijimin dhe përmirësimin e faqeve të internetit, sigurinë kibernetike, UX/Dizajn, softuer, aplikacione, aplikacione celulare, platforma nga ideja e deri në zhvillim, Backend, Frontend, mbështetje në zhvillimin teknologjik ekzistues, ndihmë në zgjedhjet në lidhje me përdorimin e teknologjisë – sesione zbuluese, marketing, SEO, integrimi dhe konfigurimi i mjeteve: CRM, CMS, dhe infrastrukturë tjetër.

Si një partner referues i TTTR-së, Partnerët Shqipëri do të informojë në rrjetet e saj lidhur me këtë mundësi, si dhe do të ndihmojë në organizimin e ëebinareve të dedikuara për organizatat jofitimprurëse të interesuara. Organizatat e referuara nga Partnerët Shqipëri do të marrin automatikisht një status “të verifikuar”, i cili shkurton rrugën e tyre drejt përputhjes me një partner IT. Gjithashtu, PSH do të jetë e informuar në cdo kohë lidhur me projektet e organizatave të referuara prej saj.

Na ndiqni për njoftime dhe zhvillime të reja!

Broshurë informuese rreth "Tech to the Rescue" Shkarko