Letër e Partnerët Shqipëri drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor mbi Vendimin nr. 445 “Për Miratimin e Formularëve Standard të Regjistrit Elektronik të Organizatave Jofitimprurëse”

Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, si pjesë e punës së saj për monitorimin e mjedisit mundësues për zhvillimin e shoqërisë civile në Shqipëri, identifikoi miratimin e Vendimit Nr. 445, datë 24.07.2023 “Për miratimin e formularëve standard të regjistrit elektronik të organizatave jofitimprurëse”, në funksion të krijimit të regjistrit elektronik për organizatat jofitimprurëse në vend sipas Ligji Nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”.

Por, nga një shqyrtim i detajuar i dokumentave të publikuar, me keqardhje konstatojmë se ato paraqesin disa problematika të cilat reflektojnë paqartësitë dhe konfuzionin ekzistues lidhur me organizatat jo-fitimpurëse, të cilat ne shpresonim që ligji i ri për regjistrimin dhe të gjitha aktet shoqëruese do t’i adresonin, dhe që do të mund të ishin shmangur nëpërmjet një procesi konsultimi gjithëpërfshirës dhe efektiv me OJF-të gjatë hartimit të formularëve.

Në mbledhjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor mbajtur më datë 24 korrik 2023 është pohuar përcjellja për mendim e formularëve standard tek të gjithë organizatat jofitimprurëse. Ne konstatojmë që shumë prej organizatave aktive në vend, përfshi edhe Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, e cila nëpërmjet Qendrës Kombëtare Burimore për Zhvillimin e Shoqërisë Civile, organizoi dhe udhëhoqi gjithë përpjekjet e sektorit të OJF-ve për të adresuar problematikat e projektligjit “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse” gjatë procesit të konsultimit me Ministrinë e Drejtësisë dhe në Kuvend, nuk janë bërë pjesë e këtij procesi konsultimi.

Duke e vlerësuar shumë të rëndësishëm përmbajtjen e formularëve standard të regjistrit elektronik për organizatat jofitimprurëse, edhe pse tashmë vendimi është marrë, ne e gjejme me vend që të ofrojmë opinionin dhe komentet tona lidhur me to, si më poshtë:

1.  Në përmbajten e formularëve në disa raste konstatohet konfuzioni lidhur me subjektet të cilat duhet të regjistrohen në Regjistrin Elektronik të Organizatave Jofitimprurëse.
Në formularin “Kërkesë për regjistrim Fillestar të Shoqatës, Fondacionit, Qendrës”, sikurse edhe ne të gjithë formularët e tjerë, pjesë të Vendimit, përcaktohen që në krye të herës format ligjore të organizatave që duhet të regjistrohen, në përputhje me Ligjin Nr. 8788, datë 07.05.2001 “Për Organizatat Jofitimprurëse”. Ndërkohë, në pikën 2 të seksionit A “Të dhënat e detyrueshme” të formularit të kërkesës për regjistrimin fillestar, gjendet edhe alternativa “Tjetër”. Vendosja e kësaj alternative bie ndesh me vetë kokën e dokumentit, por edhe me Ligjin për organizatat jofitimprurëse, i cili në nenin 2 të tij përcakton që “Organizata jofitimprurëse” kuptohet shoqatat, fondacionet dhe qendrat, veprimtaria e të cilave zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe pa u ndikuar nga shteti”, dhe nuk lë hapësirë për forma të tjera.
Po ashtu, në Formularin e Aplikimit për Ekstrat OJF, përvec tre formave të përmenduar më sipër dhe kudo nëpër formularë, përmendet edhe Sindikata / Federata, të cilat rregullohen me ligj të veçantë.

2. Përmbajtja e formularëve duhet të reflektojë të dhënat parësore dhe dytësorë që regjistrohen në regjistrin elektronik të OJF-ve, të përcaktuara në VKM Nr. 94, datë 09.02.2022 “Për miratimin e rregullave të detajuara për të dhënat parësore dhe dytësore, që regjistrohen në regjistrin elektronik të organizatave jofitimprurëse, për dhënësit e informacionit, ndërveprimin me bazat e tjera të të dhënave, si dhe për nivelin e aksesimit për subjektet e interesuara”. Në disa raste, këto të dhëna nuk janë të reflektuara në formularin e Kërkesës për Regjistrimin Fillestar të Shoqatës, Fondacionit, Qendrës.

3. Një pikë problematike në Kërkesën për Regjistrimin Fillestar të Shoqatës, Fondacionit, Qendrës, që lidhet me një nga parimet kryesore të Ligjit për OJFtë: Parimi i pavarësisë nga shteti, është pika 6 e seksionit A “Të Dhënat e detyrueshme”, e cila prezanton si një nga alternativat për Pronësinë, alternativën “Shqiptare Shtetërore”.

4. Në tërësinë e saj pika 6 e seksionit A është problematike, pasi në të kërkohet të përcaktohet Pronësia e OJF-së, e shprehur edhe në %. Për aq kohë, sa OJF-të nuk kanë “pronar”, por kanë burime financimi (në rast se bëhet fjalë për të ardhurat që gjenerojnë nga burime të ndryshme financimi të huaja dhe shqiptare), apo organe drejtuese që mund të jenë shqiptarë apo të huaj (nëse bëhet fjalë për vendimmarësit), kjo kërkesë nuk konsiderohet si relevante për natyrën e organizimit dhe funksionimit të një OJF-je. Në rast të interesit për nënshtetësinë e Anëtarëve të Bordit apo Drejtorit Ekzekutiv (trupës vendimmarrëse dhe Përfaqësuesit Ligjor), ai është i adresuar në pyetësor.

5. Në disa raste në pëmbajtjen e formularëve, gjuha e përdorur i përshtatet më shumë sektorit privat (biznes) se sa sektorit jofitimprurës, duke thelluar më tej perceptimet dhe kuptimet e gabuara që ekzistojnë edhe midis institucioneve mbi natyrën dhe veprimtarinë jofitimprurëse të OJF-ve. Kështu, në pikën 1 dhe 2 të seksionit D “Deklarime të detyrueshme për qëllime tatimore, të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe të punës” kërkohet xhiro e parashikuar deri në fund të vitit dhe fitimi i parashikuar deri në fund të vitit (në Lekë), të cilat janë terma të papërshtatshme për OJF-të, për aq kohë sa OJF-të me ligj u ndalohet të krijojnë “fitim”. Këto dy pika reflektojnë edhe njëherë konfuzion për një sektor që është jofitimprurës.

6. Në seksionin AII “Të dhënat e themeluesve person juridik” pika 13: A është regjistruar biznesi në QKB dhe pika 14: Nëse Po, jepni NIPT-in. Kjo nënkupton që personi juridik duhet të jetë vetëm biznes, ndërkohë që një OJF mund të krijohet edhe nga subjekte të tjera juridike, që janë OJF dhe rregjistrohen në gjykatë.

7. Në formularin “Dokumentet që shoqërojnë kërkesën për regjistrimin fillestar të Shoqatës, Fondacionit, Qendrës”, si pjesë e dokumentave të kërkuara për Qendër listohet edhe “Fondi fillestar”. Sipas ligjit për OJF-të, ky është një detyrim vetëm për Fondacionet.

8. Në Shtojcën nr. 3 “Formular për pezullimin e kërkesës për regjistrim”, parashikohet që gjyqtari/kancelari të japë vendimin mbi pezullimin e regjistrimit fillestar. Sipas nenit 29, pika 1 e Ligjit Nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, i ndryshuar përmes Vendimit të Gjykatës Kushtetuese Nr. 62, datë 20.11.2023, është vetëm gjyqtari, i cili sipas rastit, pezullon shqyrtimin e kërkesës dhe e njofton kërkuesin me shkrim për shkakun e pezullimit.

9. Formularët nuk reflektojnë ndryshimet e ndodhura nga reformat madhore të vendit, sic është reforma administrativo-territoriale, si rezultat i të cilës tashmë nuk ka më ndarje administrative të quajtura “komuna”, term i cili përdoret gjerësisht në formularë.

Bazuar në sa më sipër, por edhe çështje të tjera që mund të lindin nga një diskutim më i gjerë me sektorin e OJF-ve, vlerësojmë një rishikim të hollësishëm të vendimit për të adresuar çështjet e lartëpërmendura. Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim është e gatshme të ofrojë bashkëpunimin e saj për këtë cështje dhe çdo çështje tjetër që kontribuon në krijimin e një mjedisi mundësues për zhvillimin e shoqërisë civile në vend.