“Investo për Ndryshim – I4C”

PROJEKTI

Shtyllat kryesore

“Investo për Ndryshim – I4C (Invest for Change)”, është një projekt katër-vjeçar (2025-2029) që zbatohet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe që synon zhvillimin e sipërmarrjeve me impakt përmes: 1) mbështetjes me instrumente financiarë dhe 2) jo-financiarë; 3) krijimit të një komuniteti investitorësh me ndikim në mbështetjen e tyre; 4) ndërtimit të partneriteteve dhe lehtësimit të shkëmbimeve rajonale, si dhe 5) ndërtimit të një dialogu politikash me politikë-bërës dhe investitorë për të ngritur një ekosistem të qëndrueshëm për ekonominë sociale.

Shtyllat kryesore të nismës janë:

  • Studim dhe vlerësim i nevojave të sipërmarrjeve sociale për të dizenjuar ndërhyrje të bazuara në nevoja dhe për të matur impaktin e ndërhyrjeve në mbështetje të zhvillimit të ekonomisë sociale.
  • Ngritje kapacitetesh përmes Akademisë së Sipërmarrjes Sociale si një program i strukturuar për zhvillimin profesional të sipërmarrjeve sociale në Shqipëri, i cili synon të forcojë kapacitetet menaxheriale, financiare dhe strategjike të tyre, duke kontribuar në rritjen e qëndrueshmërisë dhe ndikimit të matshëm social.
  • Mbështetje financiare, lehtësim i aksesit në financim dhe mentorim për sipërmarrjet sociale duke kontribuar në zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e tyre për të gjeneruar ndikim në shkallë të gjerë në ekonominë sociale.
  • Sesione tematike diskutimi me aktorët mbështetës të ekonomisë sociale, me qëllim ndërtimin e një komuniteti investitorësh që kanë interes dhe janë të angazhuar në mbështetjen e sipërmarrjeve me impakt.
  • Rrjetëzim, ndërtim partneritetesh dhe shkëmbime në nivel rajonal dhe evropian si një mundësi për të lidhur Ekosisteme, Ide dhe Aktorë dhe shkëmbyer praktikat e mira.
  • Forcimi i dialogut politik dhe ndërgjegjësim publik mbi ekonominë sociale dhe investimet me ndikim.

 

Partnerët e projektit

Partnerët Shqipëri është organizata zbatuese në Shqipëri e projektit “Invest for Change – I4C”, në partneritet me Impact Europe (Belgjikë) partner udhëheqës,  dhe  Foundation 787 (Bosnjë dhe Hercegovinë), Innovation Centre Kosovo (Kosovë), ADP ZID (Mal i Zi), ARNO (Maqedoni e Veriut) dhe Smart Kolektiv (Serbi).

Projekti Invest For Change zbatohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

 

AKTIVITETET DHE REZULTATET DERI NË KËTË FAZË

Eventi lançues: Mobilizimi i kapitalit për të zhvilluar Ekonominë Sociale në Shqipëri

Partnerët Shqipëri organizuan në datën 4 shkurt 2026, eventin e lançimit të projektit nën tematikën “Mobilizimi i kapitalit për të zhvilluar Ekonominë Sociale në Shqipëri”. Në event morën pjesë më shumë se 60 përfaqësues të institucioneve publike, komunitetit të investitorëve, aktorë të sektorit privat dhe ekspertë rajonalë, një hapësirë e vlefshme për dialog dhe shkëmbim për zhvillimin e ekonomisë sociale.

Eventi u përshëndet nga Znj. Juliana Hoxha, Drejtore e Partnerët Shqipëri; Z. Miha Pezelj, Drejtues i Ekipit për Zhvillimin Socio-Ekonomik në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri; si dhe Znj. Andreja Rosandić, Menaxhere Projekti, pranë Impact Europe.

Gjatë diskutimeve u prezantuan modele të investimeve me impakt në nivel global dhe u trajtuan tema kyçe si nxitja dhe promovimi i investimeve vendase dhe të huaja për zhvillim të qëndrueshëm, roli i investitorëve dhe praktikuesve në avancimin e ekonomisë sociale, mbështetja financiare e sektorit privat për sipërmarrjet sociale, si dhe rëndësia e inovacionit dhe iniciativave teknologjike të qëndrueshme brenda këtij ekosistemi.


Rritja e kapaciteteve dhe aftësive të Sipërmarrjeve Sociale

“Akademia e Sipërmarrjes Sociale në Shqipëri” në edicionin e parë u lançua në prill të vitit 2026, si një program i ndërtuar për të rritur kapacitetet e 17 sipërmarrjeve sociale dhe bizneseve të orientuara nga impakti, duke u përqendruar në zhvillimin e njohurive dhe aftësive praktike në fusha të tilla si zhvillimi i biznesit, qasja në financim, matja e ndikimit dhe strategjitë për rritje të qëndrueshme.

Me synimin për të kontribuar në një ekosistem të sipërmarrjes sociale në Shqipëri më të fortë dhe më rezistent, gjatë periudhës prill–tetor 2026, Akademia ofroi shtatë sesione trajnimi të drejtuara nga ekspertë të ekosistemit, të cilat mbuluan temat: Hyrje në Ekonominë Sociale dhe Sipërmarrjen Sociale; Modelet e Sipërmarrjeve Sociale dhe Parimet e Qeverisjes së tyre; Themelimi dhe Zhvillimi i Sipërmarrjeve Sociale në Shqipëri; Inovacioni në Sipërmarrjen Sociale; Financimi dhe Mobilizimi i Burimeve; Matja dhe Menaxhimi i Ndikimit; si dhe Marrëdhënia Investitor–Përfitues

Duke mbërritur në fund të këtij rrugëtimi në tetor, nëpërmjet ceremonisë së shpërndarjes së certifikatave, festuam përkushtimin, pjesëmarrjen aktive dhe entuziazmin e treguar nga pjesëmarrësit gjatë gjithë sesioneve të Akademisë.


Përmirësimi i qasjes në financim për sipërmarrjet sociale që krijojnë impakt

Nën komponentin e mbështetjes financiare, projekti synon identifikimin dhe mbështetjen e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) ambicioze, të cilat shfaqin potencial për rritje, zgjerim dhe qëndrueshmëri, dhe që janë të angazhuara për të bashkë-investuar në zhvillimin e biznesit të tyre, duke gjeneruar njëkohësisht ndikim të matshëm social dhe/ose mjedisor.

Ky komponent është hartuar përmes fazave të një procesi përzgjedhës konkurrues, për të siguruar identifikimin e aplikantëve me potencialin më të lartë si për rritjen e biznesit, ashtu edhe për gjenerimin e ndikimit: faza e Shprehjes së Interesit, faza e Propozimit të Plotë, faza e Prezantimit (Pitching), faza e Verifikimit paraprak dhe faza e Nënshkrimit të Kontratës. Procesi i aplikimit u lehtësua nëpërmjet platformës Dua Partner Invest (DPI).

I zhvilluar më 24 shtator 2026, aktiviteti i prezantimit (Pitching) bashkoi ide frymëzuese, zgjidhje inovative dhe vizione të qarta për krijimin e ndryshimeve pozitive, teksa pjesëmarrësit prezantuan projektet e tyre para jurisë, duke nxjerrë në pah qasje të ndryshme për adresimin e sfidave sociale dhe mjedisore. Ndërkohë që kapitulli tjetër i këtij rrugëtimi ka nisur tashmë.


‘Impact for Breakfast’ dhe eventi ‘B2B Match-making’

Më 11 qershor 2026, PSh organizoi eventin e parë ‘Impact for Breakfast’, duke shpallur kështu Kapitullin e Tiranës (Tirana Chapter) dhe duke bërë bashkë investitorë, institucione financiare, sipërmarrje sociale, startup-e, politikë-bërës dhe aktorë të ekosistemit në një mëngjes me ide të guximshme, mendime frymëzuese, edhe ura të vendosura në një komunitet me ndikim që është duke u zgjeruar.

Nën temën “Lidhja e Kapitalit me Bizneset e Orientuara nga Ndikimi” (“Connecting Capital with Impact-Driven Businesses”), shqyrtuam gatishmërinë e Shqipërisë për investime me ndikim në shkallë të gjerë; hendeqet e financimit dhe mundësitë e investimit; bashkëpunimin midis zhvilluesve të ekosistemit; dhe stimujt dhe mekanizmat e ndarjes së riskut në ndërtimin e një ekosistemi me ndikim.

Eventi u vijua nga një aktivitet për krijimin e partneriteteve ndërmjet bizneseve (B2B Match-making Event) si një mënyrë për të eksploruar bashkëpunimet midis institucioneve financiare dhe sipërmarrjeve të orientuara drejt ndikimit, e për të identifikuar fushat me interes të ndërsjellë dhe ndarë mundësitë për bashkëpunim në të ardhmen, teksa u zhvilluan takime të strukturuara individuale, që u dhanë hapësirë diskutimeve mbi nevojat e tyre të financimit dhe mundësitë e investimit.


Advokim: Projektligji “Për donacionet dhe sponsorizimet”

Për Shqipërinë, një përparësi veçanërisht e rëndësishme e advokimit ka të bëjë me Projektligjin “Për Donacionet dhe Sponsorizimet”, i cili synon të rregullojë donacionet dhe sponsorizimet dhe është vënë në dispozicion për konsultim publik. Në kontekstin e përpjekjeve të vazhdueshme të Partnerët Shqipëri, projektligji është analizuar në lidhje me efektet e tij të mundshme në praktikat e sponsorizimit. Në përgjigje të kësaj, Partnerët Shqipëri organizoi konsultime me grupet e interesit, duke paraqitur gjetjet dhe rekomandimet kryesore. Duke vijuar, advokimi do të vazhdojë, nëpërmjet analizës ligjore, dialogut dhe angazhimit të shumë aktorëve për të mbështetur hartimin e politikave të bazuara në gjetje dhe për të forcuar një kuadër rregullator që mundëson filantropinë e përgjegjshme, investimet sociale dhe rritjen e qëndrueshme të iniciativave të orientuara nga ndikimi në Shqipëri.

 

KËRKIM MBI EKONOMINE SOCIALE DHE INVESTIMET ME IMPAKT

Hartëzimi i Ekosistemit të Impaktit në Ballkanin Perëndimor

Një publikim nga Impact Europe, që ofron një vështrim gjithëpërfshirës mbi Sipërmarrjen Sociale dhe Investimet me Impakt në të gjithë Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kroacinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Slloveninë. Raporti tregon se ka një potencial të konsiderueshëm për investime me ndikim në rajon. Duke ofruar shembuj më të mirë, duke nxitur transparencën dhe duke nxitur një komunitet investitorësh institucionalë dhe individualë, ne mund t’i ndihmojmë këto sipërmarrje të kalojnë nga iniciativa të sapolindura në nxitës të fuqishëm të ndryshimeve rajonale. Jemi krenarë që kemi kontribuar në studim, duke hartuar ekosistemin e sipërmarrjes sociale në Shqipëri.


Monitori Evropian i Sipërmarrjeve Sociale (ESEM)

Për herë të parë, Shqipëria i është bashkuar Monitorit Evropian të Sipërmarrjeve Sociale (ESEM: European Social Enterprise Monitor), duke u bërë pjesë e një nisme udhëheqëse kërkimore evropiane, e cila ndjek zhvillimin, sfidat dhe ndikimin e sipërmarrjeve sociale në mbarë Evropën. Ky shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të politikë-bërjes së bazuar në gjetje dhe rritjes së vizibilitetit të ekosistemit të sipërmarrjeve sociale të Shqipërisë në nivel evropian.

Raporti do të publikohet së shpejti.