REAGIM PUBLIK I ORGANIZATAVE TË SHOQËRISË CIVILE – Lufta kundër dhunës nuk duhet të kufizojë të drejtën e protestës paqësore
Partnerët Shqipëri i bashkohet reagimit publik të organizatave të shoqërisë civile që shpreh shqetësimin e tyre serioz për paketën e akteve normative me fuqinë e ligjit, dhe aktin nënligjor, të miratuara nga Këshilli i Ministrave me datë 28 Tetor 2026, të cilat prekin drejtpërdrejt ushtrimin e të drejtës së tubimit paqësor, lirinë e shprehjes, lirinë e lëvizjes, mbrojtjen e të dhënave personale dhe parimin e përgjegjësisë individuale.
Tiranë më, 3 Nëntor 2026
REAGIM PUBLIK I ORGANIZATAVE TË SHOQËRISË CIVILE
Lufta kundër dhunës nuk duhet të kufizojë të drejtën e protestës paqësore
Organizatat e shoqërisë civile nënshkruese të kësaj deklarate shprehin shqetësimin e tyre serioz për paketën e akteve normative me fuqinë e ligjit, dhe aktin nënligjor, të miratuara nga Këshilli i Ministrave me datë 28 Tetor 2026, të cilat prekin drejtpërdrejt ushtrimin e të drejtës së tubimit paqësor, lirinë e shprehjes, lirinë e lëvizjes, mbrojtjen e të dhënave personale dhe parimin e përgjegjësisë individuale.
Paketa përfshin:
- Aktin normativ me fuqinë e ligjit për ndryshime në ligjin nr. 8773/2001, “Për tubimet”;
- Vendimin e Këshillit të Ministrave për krijimin e një regjistri të posaçëm elektronik të personave të referuar ose nën hetim për vepra penale të kryera me dhunë gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve publike;
- Aktin normativ me fuqinë e ligjit për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve.
Organizatat tona dënojnë çdo akt dhune ndaj qytetarëve, gazetarëve, punonjësve të Policisë së Shtetit, si dhe çdo dëmtim të pronës publike apo private. Dhuna duhet të parandalohet, të hetohet në mënyrë të pavarur dhe të ndëshkohet sipas ligjit, pavarësisht nga autorët e saj.
Megjithatë, veprimet e dhunshme të individëve të veçantë nuk mund të përdoren për të kufizuar në mënyrë të përgjithshme të drejtën e qytetarëve për tubim paqësor dhe as për të vendosur përgjegjësi kolektive ndaj pjesëmarrësve apo organizatorëve të protestave.
E drejta e tubimit paqësor garantohet nga neni 47 i Kushtetutës, neni 11 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe neni 21 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.
Sipas nenit 17 të Kushtetutës, kufizimet e të drejtave dhe lirive themelore duhet të vendosen vetëm me ligj, për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve, të jenë proporcionale me gjendjen që i ka diktuar dhe të mos cenojnë thelbin e këtyre të drejtave.
Shqetësimi ynë nuk lidhet vetëm me procedurën e miratimit të paketës, por edhe me pasojat konkrete që dispozitat e saj mund të sjellin për qytetarët dhe për ushtrimin e lirive demokratike.
I. Përdorimi i akteve normative me fuqinë e ligjit
Neni 101 i Kushtetutës e lejon Këshillin e Ministrave të nxjerrë akte normative me fuqinë e ligjit vetëm në rast nevoje dhe urgjence, për marrjen e masave të përkohshme.
Sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, nevoja dhe urgjenca duhet të ekzistojnë njëkohësisht, të jenë objektive, konkrete, të verifikueshme dhe të pavarura nga vullneti i qeverisë.
Ndryshimet e propozuara në ligjin për tubimet krijojnë një regjim juridik me efekte të qëndrueshme, përfshirë kompetenca të reja kufizuese për Policinë e Shtetit dhe rritje të konsiderueshme të sanksioneve administrative.
Për këtë arsye, Këshilli i Ministrave duhet të argumentojë publikisht përse këto ndryshime nuk mund të shqyrtohen nëpërmjet procedurës së zakonshme ligjvënëse, përfshirë mundësinë e shqyrtimit të përshpejtuar në Kuvend.
Nevoja për reagim të menjëhershëm ndaj akteve të dhunshme, sado e rëndësishme, nuk e përmbush automatikisht kriterin kushtetues të urgjencës.
Edhe akti normativ për kompensimin e dëmeve, megjithëse lidhet me një periudhë të kufizuar kohore, kërkon arsyetim të veçantë për domosdoshmërinë e përdorimit të këtij instrumenti përjashtimor.
Kuvendi ka detyrimin të ushtrojë kontroll real dhe efektiv mbi ekzistencën e kritereve kushtetuese, përmbajtjen dhe proporcionalitetin e masave, jo thjesht të formalizojë vendimmarrjen e ekzekutivit, në përputhje me parimin e ndarjes dhe ekuilibrimit të pushteteve dhe shtetin e së drejtës.
Përdorimi i aktit normativ me fuqinë e ligjit është një instrument përjashtimor dhe nuk mund të përdoret si alternative ndaj procesurës së zakonshme ligjvënese, duke shmangur debatin parlamentar dhe konsultimin publik, për çështje që prekin të drejtat themelore.
II. Kufizimet e tubimeve dhe kompetencat e Policisë së Shtetit
1. Ndalimi i tubimeve në perimetra të caktuar
Neni 12/1 parashikon mundësinë e ndalimit ose kufizimit të tubimeve rreth institucioneve shtetërore, arsimore dhe shëndetësore për një periudhë deri në 72 orë, me mundësi rinovimi edhe një herë.
Megjithëse dispozita kërkon ekzistencën e një rreziku real, serioz dhe të afërt, ajo krijon mundësinë e kufizimeve që mund të zgjasin deri në gjashtë ditë.
Një kufizim i tillë duhet të mbështetet në prova konkrete, të jetë i domosdoshëm, të zbatohet në territorin më të kufizuar të mundshëm dhe të mos shkojë përtej kohës së nevojshme për parandalimin e rrezikut.
Organizatat nënshkruese vlerësojnë se duhet të garantohet kontroll gjyqësor efektiv dhe në kohë, veçanërisht kur ankimi nuk e pezullon automatikisht zbatimin e masës.
Një vendim gjyqësor që jepet pasi tubimi ka përfunduar ose pasi kufizimi ka prodhuar efektet e tij mund të mos ofrojë mbrojtje praktike të mjaftueshme.
2. Urdhri i largimit nga zonat e mbrojtura
Neni 12/2 i jep punonjësit të policisë kompetencën për të urdhëruar largimin e një personi nga zona të caktuara për një periudhë deri në 48 orë.
Edhe pse dispozita parashikon disa garanci dhe kërkon sjellje konkrete të personit, ajo duhet të përcaktojë qartë mekanizmin e ankimit dhe kontrollit të shpejtë gjyqësor.
Përcaktimi i zonave të mbrojtura duhet të jetë i qartë, i parashikueshëm dhe i kufizuar në atë që është rreptësisht e nevojshme.
Këto kompetenca nuk duhet të përdoren për të larguar persona vetëm për shkak të pjesëmarrjes në protestë, bindjeve të tyre apo ushtrimit paqësor të lirisë së shprehjes.
III. Gjobat dhe rreziku i dekurajimit të protestës
Ndryshimet e miratuara parashikojnë rritje të konsiderueshme të gjobave, të cilat në disa raste arrijnë deri në 500 mijë lekë.
Organizatat nënshkruese vlerësojnë se sanksionet administrative duhet të jenë proporcionale me natyrën dhe rëndësinë e shkeljes, pasojat konkrete, shkallën e përgjegjësisë individuale dhe rrethanat e rastit.
Veçanërisht shqetësuese është mundësia e vendosjes së gjobave ndaj personave për pjesëmarrje në një tubim të ndaluar ose për mosbindje ndaj urdhrit të shpërndarjes, pa garantuar vlerësimin e plotë të sjelljes individuale dhe të ligjshmërisë së urdhrit.
Gjithashtu, parashikimi i gjobës prej 5 mijë lekësh për çdo ditë bllokimi të rrugëve kërkon dallim të qartë midis pengimit të qëllimshëm dhe të paligjshëm të qarkullimit dhe kufizimeve të përkohshme që mund të shoqërojnë natyrshëm zhvillimin e një tubimi paqësor.
Në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është theksuar se tubimet në hapësirat publike mund të sjellin një shkallë të caktuar shqetësimi për jetën e përditshme dhe qarkullimin, pa e humbur automatikisht mbrojtjen e nenit 11 të Konventës.
Frika nga sanksione të larta financiare mund të krijojë një efekt frenues mbi ushtrimin e së drejtës së tubimit, edhe kur kjo e drejtë nuk ndalohet shprehimisht.
Përgjegjësia administrative duhet të jetë individuale dhe e bazuar në prova. Prania në një protestë ku persona të tjerë ushtrojnë dhunë nuk mund të përbëjë, në vetvete, shkak për ndëshkimin e pjesëmarrësve paqësorë.
IV. Liria e shprehjes dhe komunikimi në rrjetet sociale
Neni 19/1 parashikon që Policia e Shtetit t’u kërkojë përdoruesve fshirjen e përmbajtjeve që përmbajnë thirrje për dhunë gjatë organizimit ose zhvillimit të tubimeve.
Nxitja e drejtpërdrejtë e dhunës nuk gëzon të njëjtën mbrojtje si shprehja paqësore politike. Megjithatë, ndërhyrjet në komunikimin publik duhet të mbështeten në kritere të qarta ligjore dhe garanci kundër arbitraritetit.
Dispozita duhet të bëjë dallim të qartë midis thirrjeve reale për dhunë dhe kritikës së ashpër politike, retorikës protestuese, satirës apo shprehjeve që mund të jenë shqetësuese ose fyese, por nuk përbëjnë nxitje të dhunës.
Gjithashtu, duhet të përcaktohen qartë kriteret për vlerësimin e përmbajtjes, procedura e kundërshtimit të kërkesës së policisë dhe mekanizmat e kontrollit të pavarur.
Organizatat nënshkruese theksojnë se mbrojtja e rendit publik nuk duhet të shndërrohet në mjet për kufizimin e debatit politik dhe të kritikës ndaj institucioneve.
V. Regjistri i posaçëm, mbrojtja e të dhënave personale dhe liria e lëvizjes
Një nga shqetësimet më serioze të paketës lidhet me vendimin për krijimin e regjistrit të posaçëm elektronik të personave të referuar ose nën hetim për vepra penale të kryera gjatë manifestimeve publike.
Regjistri parashikon përpunimin dhe shkëmbimin e të dhënave të personave ndaj të cilëve nuk ka domosdoshmërisht një vendim gjyqësor fajësie.
Vetë referimi i materialeve në prokurori nuk provon përgjegjësinë penale të personit.
Për këtë arsye, krijimi dhe përdorimi i regjistrit duhet të vlerësohen në përputhje me nenin 35 të Kushtetutës, nenin 8 të KEDNJ-së, parimin e prezumimit të pafajësisë dhe legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
1. Kufizimi administrativ i daljes jashtë shtetit
Pika 5 e Vendimit parashikon mundësinë e refuzimit administrativ të daljes nga vendi edhe kur ndaj personit nuk është vendosur masa e sigurimit që ndalon largimin jashtë shtetit.
Kjo dispozitë ngre shqetësime serioze për pajtueshmërinë me nenin 38 të Kushtetutës dhe nenin 2 të Protokollit nr. 4 të KEDNJ-së.
Kufizimi i lirisë së lëvizjes duhet të ketë bazë të qartë ligjore, të jetë i domosdoshëm dhe proporcional, si dhe të shoqërohet me garanci efektive procedurale dhe kontroll gjyqësor.
Referimi i një personi në prokurori, pa një vlerësim të individualizuar dhe pa garanci të mjaftueshme, nuk duhet të shërbejë si bazë automatike për pengimin e daljes së tij nga vendi.
2. Shpërndarja e të dhënave personale te autoritetet e huaja dhe subjektet private
Vendimi po në pikën 5 dhe 6 të tij, parashikon gjithashtu njoftimin e autoriteteve të vendeve ku personat synojnë të udhëtojnë, si dhe të subjekteve private që administrojnë struktura akomoduese.
Këto dispozita ngrejnë shqetësime për domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e shpërndarjes së informacionit mbi persona që nuk janë shpallur fajtorë.
Njoftimi i subjekteve private mund të krijojë pasoja për reputacionin, jetën private dhe trajtimin e barabartë të personave të regjistruar, përfshirë rrezikun e stigmatizimit dhe diskriminimit.
Duhet të përcaktohen qartë qëllimi i përpunimit, kategoritë e të dhënave, subjektet që kanë akses, afatet e ruajtjes, kushtet e transferimit ndërkombëtar, mekanizmat e kontrollit dhe e drejta e personit për informim, korrigjim, fshirje dhe ankim efektiv.
Për më tepër, dispozita që parashikon rishikimin e nevojës së ruajtjes së të dhënave brenda 30 ditëve nuk e zëvendëson nevojën për afate maksimale të qarta dhe garanci kundër ruajtjes së pajustifikuar.
Një person nuk duhet të përballet me kufizime të lirisë së lëvizjes apo pasoja në jetën private dhe profesionale vetëm sepse emri i tij figuron në një regjistër policor.
VI. Kompensimi i dëmeve dhe përgjegjësia individuale
Organizatat nënshkruese mbështesin parimisht kompensimin e shpejtë dhe efektiv të personave dhe bizneseve që kanë pësuar dëme nga aktet e dhunshme.
Megjithatë, skema e propozuar duhet të jetë transparente, e drejtë dhe në përputhje me parimet e përgjegjësisë civile.
Akti normativ me fuqinë e ligjit e kufizon kompensimin te dëmet materiale të shkaktuara gjatë periudhës 13 deri më 22 tetor 2026 dhe te subjektet private që plotësojnë kriterin e qarkullimit deri në 14 milionë lekë.
Këto kufizime kërkojnë një arsyetim objektiv dhe transparent, në mënyrë që trajtimi i diferencuar i subjekteve të dëmtuara të mos jetë arbitrar.
Një shqetësim tjetër lidhet me rolin që i jepet Policisë së Shtetit në verifikimin e faktit nëse dëmi është shkaktuar nga protestuesit. Procedura duhet të garantojë vlerësim të paanshëm të provave dhe mundësi efektive ankimi ndaj vendimeve për kompensimin.
Përgjegjësia solidare e organizatorëve
Neni 5, pika 3, parashikon përgjegjësi solidare të personit juridik ose organizatës që ka organizuar tubimin e dhunshëm.
Organizatat nënshkruese vlerësojnë se përgjegjësia e organizatorëve nuk mund të rrjedhë automatikisht nga fakti i organizimit të protestës. Kjo masë mund të krijojë efekt frenues (chilling effect) mbi ushtrimin e lirisë së tubimit, të garantuar nga neni 47 i Kushtetutës dhe neni 11 i KEDNJ-së.
Ajo duhet të mbështetet në një bazë të qartë ligjore, në provimin e sjelljes së paligjshme, fajit dhe lidhjes shkakësore me dëmin e shkaktuar, sipas kushteve të përgjegjësisë civile.
Standardet ndërkombëtare për lirinë e tubimit theksojnë se organizatorët dhe pjesëmarrësit paqësorë nuk duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e paligjshme të personave të tjerë vetëm për shkak të rolit apo pranisë së tyre në tubim.
Kjo garanci është veçanërisht e rëndësishme për protestat spontane dhe lëvizjet qytetare, ku organizimi mund të jetë i decentralizuar dhe ku pjesëmarrësit nuk kanë kontroll mbi sjelljen e çdo individi.
Po ashtu, dispozita që parashikon gjobitjen e personave ndaj të cilëve është vlerësuar i ligjshëm arresti duhet të rishikohet për të shmangur çdo lidhje automatike midis ligjshmërisë së arrestit dhe përgjegjësisë administrative.
Ligjshmëria e një arrestimi nuk provon, në vetvete, kryerjen e një kundërvajtjeje.
E drejta e shtetit për të kërkuar kthimin e shumave të paguara si kompensim duhet të ushtrohet nëpërmjet një procesi të rregullt ligjor, mbi bazën e përgjegjësisë individuale të provuar.
VII. Detyrimet pozitive të shtetit për mbrojtjen e tubimeve paqësore
Organizatat nënshkruese kujtojnë se detyrimi i shtetit nuk kufizohet vetëm në ruajtjen e rendit publik dhe parandalimin e dhunës.
Sipas nenit 11 të KEDNJ-së dhe standardeve ndërkombëtare, autoritetet kanë edhe detyrimin pozitiv të krijojnë kushtet për ushtrimin efektiv të së drejtës së tubimit paqësor.
Ky detyrim përfshin mbrojtjen e pjesëmarrësve nga dhuna, lehtësimin e zhvillimit të tubimeve, përdorimin e forcës vetëm kur është e domosdoshme dhe proporcionale, si dhe garantimin e sigurisë së gazetarëve, vëzhguesve dhe personave të tjerë të pranishëm.
Aktet e dhunës të kryera nga individë të veçantë nuk e zhveshin automatikisht një tubim nga karakteri i tij paqësor dhe nuk justifikojnë masa të përgjithshme ndëshkuese ndaj të gjithë pjesëmarrësve.
Po kështu, çdo pretendim për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës nga punonjësit e Policisë së Shtetit duhet të hetohet në mënyrë të shpejtë, të pavarur, të paanshme dhe efektive.
Mbrojtja e rendit publik dhe respektimi i të drejtave themelore nuk janë detyrime që përjashtojnë njëri-tjetrin. Ato duhet të garantohen njëkohësisht.
VIII. Kërkesat e organizatave nënshkruese
Në këto rrethana, organizatat e shoqërisë civile:
- I bëjnë thirrje Kuvendit të Shqipërisë të zhvillojë shqyrtim të plotë dhe transparent të secilit akt normativ me fuqinë e ligjit, duke verifikuar ekzistencën e kritereve kushtetuese të nevojës dhe urgjencës, proporcionalitetin e masave dhe ndikimin e tyre mbi të drejtat dhe liritë themelore.
- I kërkojnë Kuvendit të mos miratojë aktet normative me fuqinë e ligjit, nëse nuk provohet përmbushja e kritereve të nenit 101 të Kushtetutës, në respektim të shtetit të së drejtës dhe parimit të ndarjes dhe ekuilibrimit të pushteteve, dhe të garantojë që ndryshimet e qëndrueshme të legjislacionit të trajtohen nëpërmjet një procesi të rregullt ligjvënës dhe konsultimi publik.
- I kërkojnë Këshillit të Ministrave të publikojë arsyetimin konkret për nevojën dhe urgjencën e masave kufizuese, disa prej tyre jo të përkohshme si ndërhyrjet në ligjin për tubimet, relacionet shpjeguese dhe vlerësimin e ndikimit të tyre në të drejtat e njeriut.
- Kërkojnë rishikimin e dispozitave që lejojnë refuzimin administrativ të daljes jashtë shtetit për persona ndaj të cilëve nuk është vendosur një masë kufizuese nga autoriteti kompetent, duke garantuar bazë të qartë ligjore, proporcionalitet dhe kontroll gjyqësor efektiv.
- Kërkojnë rishikimin e dispozitave për regjistrin e posaçëm elektronik, veçanërisht për sa i përket shpërndarjes së të dhënave personale te autoritetet e huaja dhe subjektet private, afateve të ruajtjes dhe të drejtës për informim dhe ankim.
- Kërkojnë rishikimin e dispozitave për gjobat dhe përgjegjësinë solidare të organizatorëve, për të garantuar që sanksionet dhe detyrimet civile të mbështeten në sjellje individuale të provuara dhe të mos krijojnë pengesa joproporcionale për ushtrimin e së drejtës së protestës.
- Kërkojnë garanci të qarta për lirinë e shprehjes, në mënyrë që masat kundër nxitjes së dhunës në komunikimet elektronike të mos përdoren për kufizimin e kritikës politike, satirës dhe shprehjes paqësore të mendimeve.
- I bëjnë thirrje Avokatit të Popullit, Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe institucioneve të tjera të pavarura të vlerësojnë dispozitat e paketës brenda fushës së kompetencave të tyre dhe të bëjnë publike qëndrimet përkatëse.
- U kërkojnë autoriteteve ligjzbatuese që çdo kufizim i tubimit, lirisë së lëvizjes ose përpunim i të dhënave personale të mbështetet në një bazë të qartë ligjore, të jetë i domosdoshëm dhe proporcional dhe të shoqërohet me garanci efektive kundër arbitraritetit.
- Kërkojnë hetim efektiv dhe të paanshëm të të gjitha akteve të dhunës gjatë protestave, përfshirë pretendimet për përdorim të paligjshëm të forcës nga punonjësit e Policisë së Shtetit, me respektim të parimit të përgjegjësisë individuale.
Organizatat tona do të vijojnë të monitorojnë procesin e shqyrtimit dhe zbatimit të kësaj pakete, si dhe ndikimin e saj mbi ushtrimin e të drejtave dhe lirive themelore.
Në një shtet demokratik, mbrojtja e rendit publik dhe garantimi i të drejtave të njeriut nuk duhet të përjashtojnë njëra-tjetrën.
Dhuna duhet të hetohet dhe të ndëshkohet, pavarësisht se kush e ushtron, por përgjegjësia për dhunën nuk mund të jetë kolektive dhe masat për parandalimin e saj nuk duhet të kthehen në pengesë për ushtrimin e së drejtës së protestës paqësore.
Shteti ka detyrimin të ndalojë dhunën, jo të dekurajojë protestën.
Me respekt,
Organizatat nënshkruese:
- Komiteti Shqiptar i Helsinkit
- CRCA-ECPAT Shqipëri
- Instituti i Studimeve Politike (ISP)
- Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)
- Rrjeti Erasmus Tirana
- Albanian Center for Economic Research (ACER)
- All Green Centre
- Lëvizja Europianë Shqipëri
- Civil Rights Defenders
- Res Publica
- Partners Albania
- Qendra ALTRI
- Qëndresa Qytetare