Njihuni me fituesit e Konkursit Kombëtar të Bizneseve të Gjelbërta 2025

Partnerët Shqipëri organizoi në datën 15 korrik 2025 “Konkursin e Bizneseve të Gjelbërta 2025”.

Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta është një aktivitet që Partnerët Shqipëri e organizon që prej vitit 2012, i cili mbështet nismat e biznesit të cilat synojnë përfshirjen sociale përmes integrimit dhe punësimit, dhe zhvillimin ekonomik lokal duke pasur një qasje miqësore ndaj mjedisit.Përmes mbështetjes së nismave inovatore që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik lokal, konkursi synon të kontribuojë në mënyrë thelbësore në ndërtimin e një rajoni të begatë, konkurrues dhe të paqtë të Ballkanit, në linjë me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Agjendës 2030.

Shtatëmbëdhjetë finalistë të përzgjedhur mes konkurrentëve nga procesi i aplikimit në fazën e parë, prezantuan idetë e tyre para një jurie të përbërë nga ekspertë të fushave të ndryshme të ekonomisë dhe zhvillimit të biznesit, e cila përzgjodhi fitues:

  • 𝐄𝐧𝐞𝐫𝐠𝐣𝐢𝐃𝐢𝐞𝐥𝐥𝐨𝐫𝐞– nga ALSA Olive Oil, prezantuar nga Alvin Gjata;

Ideja konsiston në instalimin e një sistemi fotovoltaik mbi çatinë e fabrikës së prodhimit të vajit të ullirit ALSA, për të mundësuar përmbushjen e të gjithë nevojës vjetore për energji dhe për të injektuar energjinë e tepruar në rrjetin elektrik. Ne qendër është fuqizimi i këtij modeli të biznesit të gjelbër rural, duke garantuar energji të pastër, të përballueshme dhe të qendrueshme.

  • 𝐆𝐫𝐞𝐞𝐧𝐒𝐨𝐮𝐧𝐝𝐒𝐩𝐚𝐜𝐞– nga Capitol Studio, prezantuar nga Gerald Taho;

Me qëllim përdorimin e artit dhe muzikës për mbrojtjen e mjedisit, ideja synon që studioja muzikore e regjistrimit dhe prodhimit audiovizual Capitol të shndërrohet në një qendër kreative të gjelbër (green co-space), që ndërthur artin, teknologjinë dhe qëndrueshmërinë mjedisore. Synimi është krijimi i një mjedisi ku artistët, të rinjtë dhe komuniteti të gjejnë mundësi për të krijuar, regjistruar, ekspozuar dhe ndarë përmbajtje me ndikim kulturor dhe social, sipas një qasje miqësore ndaj mjedisit.

  • 𝐆𝐫𝐞𝐞𝐧𝐂𝐫𝐚𝐟𝐭– nga Artizanale HM, prezantuar nga Mikaela Lala;

Zhvillimi i mëtejshëm i punishtes artizanale të familjes “Artizanale HM Kukës”, përmes një linje të re të çantave të punuara me dorë në vek tradicional duke përdorur lesh dhe pambuk vendas, të ngjyrosura me ngjyra natyrale. Kjo linjë do të përqendrohet në dizajne bashkëkohore me motive tradicionale, si tulipani endemik i Kukësit – Tulipa Albanica – duke ruajtur identitetin lokal dhe duke ofruar një produkt të qëndrueshëm, miqësor ndaj mjedisit dhe me vlerë artistike e funksionale.

  • 𝐏𝐮𝐫𝐞𝐑𝐞𝐜𝐚𝐥𝐥– Valorizimi i bukurisë natyrore, nga Handmade Jorean, prezantuar nga Alketa Muharremi;

Produktet e kozmetikes dhe higjienës personale të prodhuara me produkte bio lokale me paketim miqësor me mjedisin dhe të testuar tashmë në treg prej 3 vitesh. Sapunët artizanalë janë ideuar sipas kërkesave specifike të konsumatorit, dhe prodhohen duke përdorur si lëndë të parë nga burimet lokale: vaj ulliri, dyll blete, qumësht dhie, bimë aromatike e mjekësore, duke krijuar kështu vlerë të shtuar për ekonominë lokale.

  • 𝐕𝐥𝐨𝐫𝐚𝐊𝐚𝐲𝐚𝐤𝐢𝐧𝐠– nga Reality Escapers Albania, prezantuar nga Ornold Bazaj.

“Vlora Kayaking” do të jetë një sektor i specializuar i Reality Escapers Albania, i cili synon të zhvillojë dhe promovojë sportin e kayaking-ut në mënyrë profesionale dhe të qëndrueshme. Përmes krijimit të guidave turistike sportive me kayak në lumenjtë Vjosa dhe Shushicë, në lagunën e Nartës dhe përgjatë vijës detare të Vlorës, do të sjellë një dimension të ri të turizmit natyror dhe aventurier në rajon, me qellim krijimin e një platforme të qëndrueshme për zhvillimin e kayaking-ut në Vlorë, që promovon sportin në natyrë, turizmin e qëndrueshëm dhe ndërgjegjësimin për mbrojtjen e ekosistemeve ujore.

Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta 2025 u mundësua falë mbështetjes së Fondit Rockefeller Brothers dhe Credins Bank. Nëpërmjet fondit, fituesit do të përfitojnë nga një financim maksimal prej 1,000,000 lekësh, dhe idetë e biznesit do të zbatohen përgjatë një periudhe kohore gjashtë deri në nëntë muaj.

Tre prej fituesve të konkursit kombëtar, do të bëhen automatikisht pjesë e konkurrimit në nivel rajonal në Konkursin “Balkan Green Ideas” 2025, i cili këtë vit do të zhvillohet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në muajin shtator.

Vizitoni galerinë e fotove nga “Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta 2025