Letër e Hapur drejtuar Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë Mbi Projektligjin “Për donacionet dhe Sponsorizimet”
Tiranë, 25 nëntor 2026
Letër e Hapur drejtuar Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë Mbi Projektligjin “Për donacionet dhe Sponsorizimet”
Një ligj që rregullon kontributet private duhet gjithashtu të mundësojë aktivitetin filantropik, të forcojë shoqërinë civile dhe të sigurojë që organizatat me interes publik të kenë qasje në burime të qëndrueshme financimi.
Më 12 nëntor 2026, në Kuvendin e Shqipërisë u depozitua nga Këshilli i Ministrave projektligji “Për donacionet dhe sponsorizimet”. Projektligji synon krijimin e një kuadri ligjor të plotë dhe të unifikuar për rregullimin e donacioneve (dhurimeve) dhe sponsorizimeve në vend, duke përcaktuar rregulla për transparencën, integritetin institucional, gjurmueshmërinë, parandalimin e konfliktit të interesit, kontrollin dhe raportimin, si dhe përfitimin e lehtësive tatimore. Ky projektligj vjen gjithashtu në kuadër të përmbushjes së angazhimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, veçanërisht në lidhje me piketat e ndërmjetme dhe gjetjet e raportit të shqyrtimit analitik për Kapitullin 23, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”.
Sektori jofitimprurës në Shqipëri vlerëson rëndësinë e kësaj nisme për krijimin e një mjedisi më të favorshëm për mobilizimin e burimeve private në funksion të së mirës publike dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve, institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile. Gjithashtu, konsideron të rëndësishme që kuadri i ri ligjor të garantojë mekanizma efektivë kontrolli dhe llogaridhënieje, pa krijuar pengesa të panevojshme për dhurimet dhe sponsorizimet.
Megjithatë, projektligji, në formën e tij aktuale, nuk arrin të adresojë në mënyrë të mjaftueshme një nga objektivat kryesorë të politikave që synon të mbështesë: krijimin e një mjedisi mundësues për zhvillimin e aktivitetit filantropik dhe nxitjen e dhurimeve private në mbështetje të sektorit jofitimprurës.
Ai i kushton rëndësi të konsiderueshme rregullimit të sponsorizimeve, por lë një boshllëk themelor në trajtimin e dhurimeve për organizatat jofitimprurëse (OJF-të). Në të njëjtën kohë, projektligji parashikon nivele të ndryshme të lehtësive tatimore për aktivitete të caktuara, pa shpjeguar qartë arsyetimin për këtë diferencim, ndikimin që ato pritet të kenë në të ardhurat buxhetore dhe mënyrën se si do të kontribuojnë në mbështetjen e sektorit më të gjerë jofitimprurës dhe të aktiviteteve me interes publik.
Ne besojmë se ligji duhet të rishqyrtohet rreth dy objektivave po aq të rëndësishëm:
- Mundësimi dhe inkurajimi i dhurimeve private: krijimi i një kuadri të drejtë, të arritshëm dhe të parashikueshëm për dhurimet dhe sponsorizimet që mbështet gamën e plotë të aktiviteteve me interes publik dhe forcon qëndrueshmërinë financiare të shoqërisë civile.
- Sigurimi i transparencës dhe integritetit: parandalimi i korrupsionit, konflikteve të interesit, trajtimit preferencial dhe keqpërdorimit të burimeve publike, duke zbatuar njëkohësisht kërkesat e llogaridhënies proporcionale dhe të bazuara në risk.
Këto objektiva janë plotësuese. Transparenca ndërton besim dhe besimi inkurajon dhurimin. Një ligj që përqendrohet në kontroll pa krijuar stimuj kuptimplotë dhe mekanizma financimi të qasshëm nuk do të arrijë të realizojë potencialin e plotë të kontributeve private në zhvillimin e vendit.
Më poshtë po prezantojmë disa nga shqetësimet tona:
1. Sektori jofitimprurës është lënë në një pasiguri ligjore dhe fiskale
Një nga çështjet kryesore që kërkon adresim lidhet me mungesën e dispozitave të qarta për donacionet e dhëna drejtpërdrejt OJF-ve. Projektligji parashikon rregulla për dhurimet ndaj organeve publike, ndërsa kuadri për sponsorizimet përfshin edhe përfitues jo-publik, përfshirë OJF-të. Kjo do të thotë se, ndonëse OJF-të njihen si përfitues të mundshëm të sponsorizimeve, projektligji nuk trajton në mënyrë të posaçme donacionet filantropike që ato marrin drejtpërdrejt nga individë apo subjekte private.
Ky dallim është thelbësor, pasi donacionet filantropike kanë natyrë jokomerciale dhe nuk kushtëzohen nga përfitime promovuese apo kundërshpërblime për dhuruesin (donatorin). Ato përbëjnë një burim të rëndësishëm mbështetjeje për veprimtaritë me interes publik, në fusha si arsimi, shëndetësia, shërbimet sociale, mbrojtja e mjedisit, të drejtat e njeriut dhe zhvillimi i komunitetit.
Mungesa e një rregullimi të posaçëm krijon pasiguri juridike dhe fiskale për dhurimet ndaj OJF-ve dhe nuk parashikon për to mekanizma të qartë nxitës, të krahasueshëm me lehtësitë tatimore të propozuara për sponsorizimet. Kjo krijon një trajtim të pabarabartë ndërmjet sponsorizimeve me natyrë komerciale dhe kontributeve filantropike, pavarësisht rolit të këtyre të fundit në mbështetjen e shoqërisë civile dhe të aktiviteteve me interes publik.
Andaj, ne bëjmë thirrje për përfshirjen e qartë të dhurimeve për OJF-të, të përshtatshme brenda kuadrit ligjor dhe për krijimin e një mekanizmi të dedikuar, të arritshëm dhe të parashikueshëm të stimujve tatimorë për kontributet filantropike. Trajtimi i dhurimeve duhet të pasqyrojë natyrën e tyre jo-komerciale dhe kontributin e tyre në të mirën publike.
2. Stimujt tatimorë duhet të mbështesin të gjithë sektorin me interes publik
Projektligji parashikon dy mekanizma kryesorë të stimujve fiskale:
- Neni 14: Zbritje deri në 5% të fitimit para tatimit për aktivitete të caktuara, përfshirë botimet dhe kërkimin shkencor e zhvillimin, dhe deri në 3% për aktivitete të tjera të pranueshme.
- Neni 15: Për sponsorizimet në fushën e artit, kulturës dhe sportit, parashikohet zbritja e shumës së sponsorizuar dhe të dokumentuar nga detyrimi tatimor i sponsorit, deri në masën 30% të tatimfitimit të vitit paraardhës fiskal. Përfitimi kufizohet në 30 milionë lekë në vit për çdo sponsor, ndërsa vlera totale vjetore e sponsorizimeve që përfitojnë nga ky mekanizëm nuk mund të tejkalojë 2 miliardë lekë.
Kuadri i propozuar parashikon stimuj fiskalë të diferencuar për fusha të caktuara, pa dhënë një arsyetim të qartë për këtë trajtim në raport me sektorë të tjerë me rëndësi të krahasueshme për interesin publik.
Ne e pranojmë që arti, kultura dhe sporti janë qëllime legjitime për përfitim publik dhe se mbështetja e këtyre aktiviteteve është në përputhje me praktikën evropiane. Megjithatë, e drejta për mbështetje publike dhe stimuj tatimorë duhet të bazohet në kritere transparente të interesit publik dhe nuk duhet të krijojë dallime të pajustifikuara midis sektorëve ose formave të ndryshme organizative.
Për më tepër, fakti që një aktivitet zhvillohet në fushën e artit, kulturës apo sportit nuk përcakton statusin juridik të përfituesit, pasi këto veprimtari ushtrohen nga OJF, subjekte tregtare dhe institucione publike.
Në këtë kuadër, është e nevojshme që projektligji të dallojë qartë natyrën e aktivitetit, statusin juridik të përfituesit dhe kriteret e përfitimit nga lehtësitë fiskale. Gjithashtu, duhet të argumentojë përse disa fusha përfitojnë nga mekanizma më të favorshëm, ndërsa veprimtari të tjera me interes publik, veçanërisht ato të zhvilluara nga OJF-të në fushën e të drejtave të njeriut, shërbimeve sociale, arsimit, mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të komunitetit, nuk përfitojnë nga stimuj të krahasueshëm.
Qasja aktuale rrezikon të krijojë një sistem të pabalancuar të incentivave fiskale, duke favorizuar sektorë të caktuar pa një arsyetim të qartë, ndërsa nuk siguron mbështetje të krahasueshme për donacionet filantropike dhe nuk garanton akses të barabartë për individët, bizneset e vogla dhe të mesme. Gjithashtu, projektligji nuk dëshmon qartë se si këta stimuj do të mobilizojnë burime shtesë private dhe do të kontribuojnë në qëndrueshmërinë financiare të OJF-ve.
Për këtë arsye, kërkojmë një kuadër fiskal më gjithëpërfshirës dhe të balancuar, që:
- Parashikon një mekanizëm të posaçëm dhe të qartë stimulimi fiskal për donacionet në favor të OJF-ve të përshtatshme, të dallueshëm nga sponsorizimet me natyrë komerciale;
- Rishikon kriteret e përfitimit nga stimujt fiskalë, duke siguruar që çdo trajtim preferencial ndërmjet sektorëve dhe përfituesve të mbështetet në argumente transparente dhe të bazuara në prova;
- Ofron stimuj të arritshëm për një gamë më të gjerë donatorësh, përfshirë individë, ndërmarrje të vogla dhe të mesme, si dhe kompani më të mëdha;
- Mbështet marrëveshje të parashikueshme dhe afatgjata që inkurajojnë angazhime filantropike shumëvjeçare dhe partneritete të qëndrueshme; dhe
- Vendos kërkesa administrative proporcionale, duke siguruar që organizatat më të vogla të mos dekurajohen nga marrja e donacioneve dhe sponsorizimeve të ligjshme.
Ne mbështesim stimujt për artin, kulturën dhe sportin, por gjithashtu kërkojmë një qasje gjithëpërfshirëse që njeh vlerën publike të të gjithë sektorit jofitimprurës dhe siguron trajtim të drejtë të aktiviteteve të krahasueshme me interes publik.
Ne theksojmë se stimujt tatimorë për aktivitetin filantropik nuk janë privilegje për OJF-të. Ato janë instrumente politike përmes të cilave Shteti mund të mobilizojë burime shtesë private për qëllime me interes publik dhe të plotësojë investimet publike.
3. Mungesa e një analize të duhur financiare dëmton kuadrin fiskal të propozuar
Dispozitat tatimore të projektligjit përcaktojnë përfitimet fiskale për sponsorët dhe ndikimin përkatës në të ardhurat publike. Megjithatë, dokumentet shoqëruese nuk ofrojnë një analizë të mjaftueshme të kostos fiskale të mekanizmave të propozuar, profilit të përfituesve, shpërndarjes së përfitimeve ndërmjet sektorëve, kostove administrative dhe burimeve shtesë që pritet të mobilizohen për aktivitete me interes publik. Mungon dhe analiza mbi marrëdhënien midis stimujve të propozuar dhe trajtimit ekzistues tatimor të donacioneve, sponsorizimeve dhe aktiviteteve jofitimprurëse, duke përfshirë implikimet e tyre në TVSH.
Kjo mungesë është veçanërisht problematike për mekanizmin e posaçëm të nenit 15, i cili parashikon lehtësi fiskale deri në 30 milionë lekë për sponsor dhe një tavan të përgjithshëm vjetor prej 2 miliardë lekësh. Një ndërhyrje e tillë kërkon një vlerësim paraprak të kostos, efektivitetit dhe përfitimit publik, si dhe të ndikimit të saj në shpërndarjen e mbështetjes ndërmjet sektorëve dhe përfituesve.
Mungesa e kësaj analize e bën gjithashtu të vështirë vlerësimin nëse stimujt e propozuar janë proporcionalë, nëse do t’i arrijnë përfituesit e synuar dhe nëse trajtimi i veçantë i sektorëve të caktuar është i justifikuar.
Për këtë arsye, kërkojmë publikimin e një analize gjithëpërfshirëse të ndikimit fiskal përpara miratimit të ligjit, si dhe parashikimin e raportimit periodik publik mbi përfitimet tatimore të dhëna dhe rezultatet e arritura. Gjithashtu, ligji duhet t’i nënshtrohet një vlerësimi të pavarur brenda tre viteve nga hyrja në fuqi, për të matur efektivitetin, koston fiskale dhe kontributin në zhvillimin e aktivitetit filantropik dhe shoqërisë civile.
4. Transparenca dhe llogaridhënia duhet të jenë proporcionale dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Ne mbështesim transparencën dhe llogaridhënien si kushte thelbësore për garantimin e besimit të publikut dhe administrimin e përgjegjshëm të kontributeve private. Megjithatë, kërkesat për raportim dhe publikim të informacionit duhet të jenë proporcionale me madhësinë, natyrën dhe fushën e veprimtarisë së OJF-ve.
Vlerësojmë pozitivisht që projektligji njeh nevojën për mbrojtjen e informacionit të ndjeshëm të OJF-ve që ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje. Megjithatë, ky parim duhet të zbatohet në mënyrë më të gjerë, duke shmangur publikimin e pakufizuar të të dhënave dhe barrën e panevojshme administrative.
Nga ana tjetër, sponsorizimet që përfitojnë lehtësi tatimore duhet t’i nënshtrohen transparencës së duhur publike, përfshirë informacionin mbi sponsorin, përfituesin, shumën, qëllimin dhe përfitimin fiskal.
Për këtë arsye, kërkojmë një kuadër që balancon transparencën dhe llogaridhënien me proporcionalitetin, mbrojtjen e të dhënave dhe pavarësinë e shoqërisë civile.
5. Donacionet filantropike dhe sponsorizimet komerciale duhet të trajtohen sipas përmbajtjes së tyre.
Projektligji duhet të dallojë qartë donacionet filantropike, sponsorizimet komerciale dhe kontributet në infrastrukturën publike, pasi secila prej tyre ka natyrë dhe trajtim të ndryshëm ligjor e fiskal. Ndërsa donacionet janë kontribute vullnetare pa kundërshpërblim, sponsorizimet mund të përfshijnë përfitime promovuese ose të drejta tregtare në favor të sponsorit. Ky dallim është i rëndësishëm për përcaktimin e trajtimit ligjor dhe fiskal të transaksioneve përkatëse. Megjithatë, projektligji nuk krijon një kuadër përkatës për donacionet filantropike për OJF-të, siç u theksua më sipër.
Ne gjithashtu kërkojmë rregulla të qarta mbi kontributet në natyrë, shërbimet profesionale, projektet e infrastrukturës dhe trajtimin e zbatueshëm të TVSH-së. Vlerësimi i një kontributi sipas këtij ligji nuk duhet të ngatërrohet me përcaktimin e trajtimit të tij të TVSH-së sipas legjislacionit përkatës tatimor.
Ligji duhet gjithashtu të parandalojë që reklamat komerciale dhe përfitimet e tjera ekonomike të paraqiten si kontribute filantropike me qëllim që të përfitohet një trajtim më i favorshëm tatimor.
6. Nevojiten masa më të forta kundër konflikteve të interesit dhe ndikimit të padrejtë
Megjithëse projektligji njeh rëndësinë e parandalimit të konflikteve të interesit, parashikimet e nenit 13 mbeten të kufizuara. Konfliktet e interesit nuk lidhen vetëm me marrëdhëniet personale dhe familjare, por mund të burojnë edhe nga interesat ekonomike, institucionale dhe marrëdhëniet e biznesit, përfshirë kompanitë e lidhura dhe personat që ushtrojnë kontroll efektiv.
Donacionet dhe sponsorizimet mund të krijojnë rrezik për ndikim të padrejtë në vendimmarrjen publike, veçanërisht kur sponsorët kanë interesa në procedura të prokurimit publik, licencimit, koncesioneve apo vendimeve rregullatore. Për këtë arsye, ligji duhet të parashikojë detyrime të qarta për deklarimin e konflikteve të interesit, përjashtimin nga vendimmarrja dhe shqyrtimin e pavarur të rasteve përkatëse.
Gjithashtu, duhet të përcaktohet shprehimisht se donacionet dhe sponsorizimet nuk mund të krijojnë qasje apo trajtim preferencial në vendimmarrjen publike, kontratat, licencat, lejet dhe koncesionet. Së fundi, dispozitat për kontributet në infrastrukturë, veçanërisht neni 6, pika 4, duhet të garantojnë vlerësim teknik të pavarur dhe ndarje të qartë të përgjegjësive për përgatitjen, miratimin, mbikëqyrjen dhe verifikimin e projekteve.
7. Kuadri i zbatimit duhet të jetë proporcional dhe funksional
Efektiviteti i ligjit do të varet nga qartësia dhe zbatueshmëria e mekanizmave të tij. Ne mbështesim krijimin e regjistrit elektronik kombëtar, përdorimin e transfertave bankare, marrëveshjet me shkrim dhe detyrimet e raportimit, por këto masa duhet të shoqërohen me përgjegjësi të qarta institucionale dhe procedura proporcionale, veçanërisht për organizatat më të vogla. Për këtë qëllim, ne kërkojmë që projektligji duhet të garantojë procedura të thjeshta dhe të aksesueshme regjistrimi e raportimi, kritere transparente për përfitimin nga stimujt fiskalë, vendime të arsyetuara dhe mundësi ankimi. Gjithashtu, verifikimi duhet të bazohet në nivelin e rrezikut, ndërsa sanksionet të dallojnë mashtrimin dhe keqpërdorimin e qëllimshëm nga shkeljet e vogla procedurale.
Është gjithashtu e nevojshme që përgjegjësitë e institucioneve të përcaktohen qartë, rregulloret zbatuese të publikohen dhe të konsultohen me sektorin jofitimprurës përpara miratimit, si dhe të parashikohet një mekanizëm i përkohshëm i raportimit publik deri në krijimin dhe funksionalizimin e regjistrit elektronik kombëtar.
Kërkesat e reja duhet të jenë në përputhje me kuadrin ligjor ekzistues për regjistrimin, funksionimin, raportimin financiar dhe detyrimet tatimore të OJF-ve.
8. Nevoja për një proces të plotë dhe transparent konsultimi publik
Një shqetësim tjetër lidhet me mungesën e konsultimit publik për versionin aktual të projektligjit. Teksti i depozituar në Kuvend paraqet ndryshime të konsiderueshme krahasuar me versionin e konsultuar më parë me organizatat e shoqërisë civile, si në përmbajtje, ashtu edhe në qasjen rregullatore. Pavarësisht këtyre ndryshimeve, qeveria nuk ka zhvilluar një proces të ri konsultimi me palët e interesit përpara depozitimit të projektligjit në Kuvend. Gjithashtu, versioni aktual nuk është publikuar për konsultim në Platformën e Konsultimit Publik të Kuvendit, duke mos u dhënë palëve të interesuara mundësinë të njihen me ndryshimet dhe të paraqesin komentet e tyre. Në këto kushte, konsultimi i zhvilluar mbi versionin e mëparshëm nuk mund të konsiderohet i mjaftueshëm për të garantuar konsultimin e ndryshimeve dhe zgjidhjeve të reja të përfshira në tekstin aktual.
Një tjetër problematikë lidhet me mënyrën e pasqyrimit të rekomandimeve të organizatave të shoqërisë civile në Raportin e Konsultimit Publik të depozituar në Kuvend. Me keqardhje konstatojme se një pjesë e konsiderueshme e rekomandimeve tona paraqiten në raport si të adresuara, ndërkohë që shqyrtimi i versionit aktual të projektligjit tregon se ato nuk janë reflektuar në përmbajtjen e tij, siç argumentohet edhe më sipër. Kjo mospërputhje ngre pikëpyetje mbi saktësinë e raportimit të rezultateve të konsultimit publik dhe transparencën në trajtimin e kontributeve të organizatave të shoqërisë civile.
9. Thirrja jonë drejtuar Qeverisë dhe Parlamentit të Shqipërisë
Sektori jofitimprurës në Shqipëri i bën thirrje Qeverisë dhe Kuvendit që projektligji “Për donacionet dhe sponsorizimet” të rishikohet në thelb dhe t’i nënshtrohet një procesi të ri, gjithëpërfshirës dhe efektiv konsultimi me organizatat e shoqërisë civile, aktorët filantropikë, bizneset dhe institucionet publike përkatëse. Nevojitet një kuadër ligjor që jo vetëm garanton transparencën dhe parandalon keqpërdorimin e donacioneve dhe sponsorizimeve, por edhe nxit aktivitetin filantropik dhe mobilizimin e burimeve private në mbështetje të interesit publik. Për këtë qëllim, ligji duhet të:
- Njohë dhe rregullojë qartë donacionet filantropike për OJF-të, duke siguruar qartësi dhe parashikueshmëri në trajtimin e tyre ligjor dhe fiskal.
- Krijojë një sistem të drejtë dhe gjithëpërfshirës të stimujve fiskale, që nxit dhurimet private për një gamë të gjerë aktivitetesh me interes publik dhe shmang trajtimin e diferencuar pa justifikim të mjaftueshëm.
- Mbështetet në një analizë të plotë të ndikimit financiar dhe fiskal, duke vlerësuar paraprakisht koston, efektivitetin dhe përfitimin publik të mekanizmave të propozuar në nenet 14 dhe 15.
- Garantojë transparencë dhe llogaridhënie proporcionale, në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke shmangur barrën e panevojshme administrative për OJF-të.
- Forcojë masat mbrojtëse kundër konflikteve të interesit, korrupsionit dhe ndikimit të padrejtë, veçanërisht në rastet që përfshijnë institucione publike dhe kontribute në infrastrukturë.
- Dallojë qartë donacionet filantropike nga sponsorizimet komerciale, duke përcaktuar trajtimin e përshtatshëm ligjor dhe fiskal për secilën kategori.
- Sigurojë një kuadër zbatimi të qartë, proporcional dhe funksional, që merr parasysh diversitetin, madhësinë dhe kapacitetet operacionale të OJF-ve.
Këto kërkesa nuk janë të ndara nga njëra-tjetra, por përbëjnë elemente plotësuese të një kuadri ligjor koherent, që duhet të balancojë kontrollin dhe transparencën me nxitjen e kontributeve private për të mirën publike. Shqipëria ka nevojë për një ligj që jo vetëm parandalon keqpërdorimin e donacioneve dhe sponsorizimeve, por edhe krijon kushte për ta bërë dhënien më të lehtë, më të drejtë dhe më efektive.
Një kuadër i tillë duhet të njohë dhe të mbështesë rolin e shoqërisë civile në zhvillimin e vendit, të nxisë kulturën e filantropisë, të mobilizojë burime shtesë private dhe të garantojë administrimin e tyre në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme.
Sektori jofitimprurës mbetet i gatshëm të kontribuojë në përmirësimin e projektligjit dhe të bashkëpunojë me institucionet publike për hartimin e një kuadri ligjor transparent, të drejtë, të zbatueshëm dhe mbështetës të aktiviteteve me interes publik.
Organizatat që nënshkruajnë këtë deklaratë:
- Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim
- ACLI IPSIA Shqipëri
- Albania Community Assist (ACA)
- AWEN – Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri
- Code Partners
- Fondacioni “Misioni Emanuel për Zhvillim dhe Integrim”
- Fondacioni Down Syndrome Albania
- Fondacioni Së Bashku
- Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara
- Global Care Albania
- Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri (IRCA)
- Instituti per Kontraten Shoqerore
- Mbrojtja e të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara (MEDPAK)
- Nisma për Ndryshim Shoqëror ARSIS
- Qendra Rinore Vlorë
- Qendra “Edhe Unë Mundem”
- Qendra “Streha”
- Qendra “Strehëza Edlira Haxhiymeri”
- Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC)
- Qendra e Gruas “Hapa të Lehtë”
- Qendra Jonathan
- Qendra Psiko-Sociale “Vatra”
- Qendra Rinore ARKA
- Roma Active Albania
- Save the Children Albania
- Shërbimi Ligjor Falas Tiranë – TLAS
- Shoqata Përtej Barrierave
- Shoqata “Multifunksionale për Kulture, Edukim dhe Zhvillim” (MKEZH)
- Shoqata Internacionale për Solidaritetin (SHIS)
- Shoqata Kombëtare “Edukim për Jetën” (SHKEJ)
- Shoqata Ndihmoni Jetën
- Shoqata Ryder Albania
- Të Ndryshëm të Barabartë
- Tjetër Vizion