Kontribut në Konsultim Publik Mbi Projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10093, datë 9.3.2009, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile’”
Projektligji synon forcimin e koordinimit institucional dhe qartësimin e natyrës juridike të vendimeve të Bordit Mbikëqyrës, përfshirë parashikimin e ankimit gjyqësor për vendimet mbi grantet.
Ky është një zhvillim pozitiv në drejtim të sigurisë juridike dhe përputhshmërisë me parimet e përgjithshme të së drejtës administrative.
Në të njëjtën kohë, rezulton e nevojshme që projektligji të harmonizohet dhe të reflektojë më qartë lidhjen me dokumentet strategjike ku Shqipëria ka marrë angazhime konkrete, veçanërisht me Udhërrëfyesin për Funksionimin e Institucioneve Demokratike. Në këtë kuadër, për Agjencinë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile ishin përcaktuar dy masa specifike me afat zbatimi gjatë vitit 2025; rrjedhimisht, në vitin 2026, trajtimi i tyre kërkon prioritet dhe duhet të pasqyrohet qartësisht në projektligj, në mënyrë që reformat të mos mbeten vetëm në nivel planifikimi, por të përkthehen në dispozita konkrete dhe të zbatueshme.
Andaj, për të garantuar:
- efektivitetin real të mjeteve juridike në kushtet e ngarkesës së lartë të gjykatave administrative;
- reduktimin e riskut të kontestimeve dhe shfuqizimeve për arsye procedurale;
- forcimin e qeverisjes strategjike dhe transparencës;
- harmonizimin më të plotë me standardet e administratës publike të BE-së dhe parimet SIGMA; dhe
- adresimin e Masave të parashikuara në Udhërrëfyesin për Institucionet Demokratike,
propozohen ndryshimet dhe plotësimet e mëposhtme.
Rekomandimi 1: Detyrimi për vendime të arsyetuara
Neni 7 – Neni 26 (Vendimet për grantet dhe mjetet juridike)
Teksti i propozuar:
“Vendimet e Bordit Mbikëqyrës për miratimin ose refuzimin e dhënies së grantit nxirren në formë të shkruar dhe të arsyetuar.
Vendimi përmban bazën ligjore, rrethanat faktike, vlerësimin sipas çdo kriteri të përcaktuar, renditjen përkatëse kur aplikohet, si dhe informacion mbi mjetet e ankimit.”
Justifikimi:
Arsyetimi i detajuar është kusht thelbësor për kontrollin efektiv gjyqësor. Përfshirja e këtij detyrimi në ligjin sektorial forcon sigurinë juridike, redukton rrezikun e shfuqizimit të vendimeve për mungesë motivimi dhe përputhet me standardet evropiane mbi mjetin efektiv juridik.
Rekomandimi 2: Rishqyrtim administrativ i detyrueshëm para gjykatës
Teksti i propozuar:
“Brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit, aplikanti ka të drejtë të paraqesë kërkesë për rishqyrtim administrativ pranë Agjencisë.”
Justifikimi:
Në kushtet e mbingarkesës së Gjykatës Administrative të Apelit, kjo fazë siguron zgjidhje më të shpejtë dhe praktike të mosmarrëveshjeve, filtron gabimet procedurale dhe redukton kontestimet gjyqësore të panevojshme, pa cenuar të drejtën kushtetuese për akses në gjykatë.
Rekomandimi 3: Rishqyrtim nga anëtarë të pa përfshirë në vendimin fillestar/ose një komision i posatçëm për ankesat
Teksti i propozuar:
“Rishqyrtimi shqyrtohet nga anëtarë që nuk kanë marrë pjesë në procesin fillestar të vlerësimit apo vendimmarrjes ose nëpërmjet një komisioni të posatcëm ad-hoc që ngrihet për këtë qëllim.”
Justifikimi:
Ky mekanizëm garanton paanshmëri dhe shmang konfliktin e interesit, duke njohur të drejtën e ankimimit si për cdo akt tjetër administrativ. Kjo do të forconte besueshmërinë e procesit.
Në cdo rast, nuk rekomandohet vendosja e një mekanizmi ankimi pranë Ministrisë, pasi kjo do të rrezikonte politizimin e financimit të shoqërisë civile dhe do të përqendronte në mënyrë të tepruar kontrollin në ekzekutiv. Duke qenë se projektligji tashmë forcon rolin mbikëqyrës të ministrisë në disa aspekte, shtimi i një funksioni ankimi në të njëjtin nivel mund të krijojë një çekuilibër në qeverisje dhe të dobësojë perceptimin mbi autonominë operacionale të Agjencisë. Për më tepër, një përqendrim i tillë i kompetencave mund të rrisë cenueshmërinë ndaj kontestimeve gjyqësore, pasi aplikantët mund të vënë në dyshim pavarësinë dhe paanshmërinë e procesit të rishikimit, veçanërisht në vendime që përfshijnë diskrecion në shpërndarjen e granteve.
Rekomandimi 4: Afat 20-ditor për vendimin e rishqyrtimit
Teksti i propozuar:
“Vendimi për rishqyrtim nxirret brenda 20 ditëve nga paraqitja e kërkesës dhe është i arsyetuar.”
Justifikimi:
Afati i qartë parandalon zvarritjen procedurale dhe siguron respektimin e parimit të afatit të arsyeshëm, duke garantuar efektivitetin e mbrojtjes juridike.
Rekomandimi 5: Gjykata si mjet përfundimtar
Teksti i propozuar:
“Pas përfundimit të procedurës së rishqyrtimit administrativ, aplikanti mund të ankimojë vendimin në gjykatën administrative kompetente sipas legjislacionit në fuqi.”
Justifikimi:
Ky formulim ruan të drejtën për kontroll gjyqësor si garanci përfundimtare dhe përputhet me modelet evropiane të mbrojtjes në disa faza.
Rekomandimi 6: Heshtja administrative si refuzim
Teksti i propozuar:
“Mosnxjerrja e vendimit brenda afatit të përcaktuar konsiderohet refuzim dhe i jep të drejtë aplikantit të kërkojë mbrojtje gjyqësore.”
Justifikimi:
Ky rregull mbron aplikantin nga mosveprimi administrativ dhe garanton që e drejta për gjykim të jetë e zbatueshme.
Rekomandimi 7: Platforma online për ndjekjen e procesit të granteve
Teksti i propozuar pas nenin 26 (nen i ri)
“Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile krijon, mirëmban dhe administron një platformë online për ndjekjen e procesit të granteve, e cila siguron të paktën:
a) publikimin e thirrjeve, dokumentacionit standard dhe sqarimeve;
b) dorëzimin elektronik të aplikimeve dhe komunikimin zyrtar me aplikantët;
c) gjurmueshmërinë e statusit të aplikimit gjatë gjithë fazave të vlerësimit dhe vendimmarrjes;
ç) publikimin e vendimeve përfundimtare dhe të dhënave për rezultatet e grantit, sipas rregullave të transparencës;
d) arkivim të aksesueshëm të thirrjeve dhe rezultateve.
Rregullat e hollësishme të funksionimit të platformës, përfshirë standardet e aksesueshmërisë dhe afatet e publikimit, miratohen me vendim të bordit mbikëq yrës.”
Justifikimi:
Udhërrëfyesi për Funksionimin e Institucioneve Demokratike parashikon përmirësimin e procedurave administrative për menaxhimin e fondeve publike dhe aktivizimin e funksionalitetit të plotë të platformës online për ndjekjen e procesit të granteve brenda vitit 2025. Futja e këtij detyrimi në ligjin e bën reformën të detyrueshme dhe të qëndrueshme, rrit transparencën dhe gjurmueshmërinë e vendimmarrjes, ul hapësirën për kontestime procedurale dhe përmirëson aksesin e barabartë të OSHC-ve në financimin publik.
Rekomandimi 8: Përfshirja e planifikimit strategjik në ligj
Teksti i propozuar (nen i ri 15/1):
“Agjencia miraton plan strategjik shumëvjeçar që përcakton objektivat, prioritetet dhe treguesit e matshëm të performancës.
Plani rishikohet periodikisht, jo më rrallë se çdo tre vjet.
Agjencia harton raport vjetor të performancës, i cili publikohet në faqen zyrtare.”
Justifikimi:
Kjo forcon përgjegjshmërinë institucionale dhe harmonizon funksionimin e Agjencisë me standardet e BE-së mbi planifikimin strategjik dhe menaxhimin e performancës.
Rekomandimi 9: Monitorim dhe vlerësim ndikimi
Teksti i propozuar (nen i ri 15/2):
“Agjencia siguron monitorimin sistematik dhe vlerësimin periodik të rezultateve dhe impaktit të programeve të granteve.
Rezultatet e agreguara bëhen publike.”
Justifikimi:
Forcon qasjen e bazuar në prova, rrit efikasitetin e përdorimit të fondeve dhe përputhet me praktikat më të mira të administratës publike evropiane.
Rekomandimi 10: Konsultim i strukturuar me shoqërinë civile
Teksti i propozuar (nen i ri 15/3):
“Agjencia organizon konsultime periodike me organizatat e shoqërisë civile për prioritetet e financimit dhe objektivat strategjike.
Projektet strategjike i nënshtrohen konsultimit publik para miratimit.”
Justifikimi:
Forcon qeverisjen pjesëmarrëse dhe legjitimitetin e vendimmarrjes, në përputhje me standardet evropiane të transparencës dhe përfshirjes.
Rekomandimi 11: Transparencë mbi grantet
Teksti i propozuar (shtesë në nenin 9):
“Bordi Mbikëqyrës siguron publikimin e vendimeve për grantet, kritereve të vlerësimit dhe përmbledhjes vjetore të shpërndarjes së fondeve.”
Justifikimi:
Rrit transparencën, balancon forcimin e koordinimit ekzekutiv dhe redukton riskun e perceptimit të centralizimit të tepruar.
Rekomandimi 12: Sekretariati teknik i KKSHC-së si funksion ligjor i AMSHC-së
Teksti i propozuar (shtesë në nenin 9 – detyrat):
“Agjencia ushtron funksionin e sekretariatit teknik të Këshillit Kombëtar për Shoqërinë Civile (KKSHC) dhe, në këtë cilësi: siguron mbështetje administrative e teknike, dokumenton mbledhjet, ndjek zbatimin e vendimeve dhe garanton transparencën e punës së KKSHC-së përmes publikimit të rendit të ditës, materialeve dhe procesverbaleve.”
Justifikimi:
Edhe pse ligji për KKSHC-në parashikon që AMSHC të kryejë funksionin e sekretariatit teknik për Këshillin, ky rol mbetet i papasqyruar në mënyrë të qartë në ligjin sektorial të vetë AMSHC-së. Përfshirja e funksionit të sekretariatit teknik edhe në ligjin nr. 10093/2009 siguron koherencë të kuadrit ligjor, qartësi kompetencash dhe llogaridhënie, si dhe garanton që ky rol të mbështetet me burime, procedura dhe detyrime transparence.
Propozimet e mësipërme synojnë:
- të garantojnë efektivitet real të mbrojtjes juridike;
- të reduktojnë riskun e kontestimeve gjyqësore;
- të forcojnë qeverisjen strategjike dhe transparencën;
- të harmonizojnë më tej kuadrin ligjor me standardet evropiane;të adresojnë detyrimet që rrjedhin nga masat e parashikuara në Udhërrëfyesin për Funksionimin e Institucioneve Demokratike.