KONKURSI I BIZNESEVE TË GJELBËRTA

Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta është një aktivitet që Partnerët Shqipëri ka organizuar prej vitit 2012, i cili synon të stimulojë e inkurajojë inovacionin për ide biznesi të gjelbërta në nivel lokal dhe të hulumtojë rolin e filantropisë në angazhimin e komuniteteve lokale për të gjeneruar ide biznesi të bazuara në shfrytëzimin e burimeve lokale, ringjalljen e traditave të prodhimit dhe tregjeve lokale, duke pasur një qasje miqësore ndaj mjedisit.

Përmes mbështetjes së nismave inovatore që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik lokal, Konkursi synon të kontribuojë në mënyrë thelbësore në ndërtimin e një rajoni të begatë, konkurrues dhe të paqtë të Ballkanit, në linjë me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) të Axhendës 2030.

Përgjatë dy ditëve që zgjat konkurimi, finalistët e përzgjedhur mes konkurrentëve nga organizata jofitimprurësesipërmarrje socialebiznesi i vogël në vend dhe individë, prezantojnë idetë e tyre para një jurie të pavarur me ekspertë të fushës së ekonomisë, edukimit dhe zhvillimit të biznesit.

Konkursi mbështet ide biznesi në dy fasha kryesore sipas maturimit të idesë:

Fasha 1: Ide biznesi në fazë konceptuale

Fasha 2: Biznes në fazat e para të zhvillimit

Tre fitues në nivel kombëtar, dy vendet e para nga Fasha 1 dhe vendi i parë nga Fasha 2, bëhen automatikisht pjesë e konkurrimit në Konkursin Ballkanik të Ideve të Gjelbërta “Balkan Green Ideas”, bashkë me fituesit e konkurseve kombëtare nga Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnjë Hercegovina.

Që prej vitit 2012, 49 sipërmarrje sociale të gjelbërta janë mbështetur nëpërmjet Konkursit të Bizneseve të Gjelbërta, nga të cilat, 29 janë ende aktive në treg.

 


 

 

 

Shfletoni këtë broshurë për t’u informuar rreth sipërmarrjeve të mbështetura nëpërmjet konkursit përgjatë viteve, të cilat janë ende aktive në treg.