Inteligjenca artificiale në administratën publike: Angazhimi qytetar dhe qeverisja në Ballkanin Perëndimor
Inteligjenca artificiale (IA) po përdoret gjithnjë e më shumë nga administrata publike e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si pjesë e transformimit digjital dhe modernizimit të sektorit publik. Këto përpjekje lidhen edhe me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Megjithatë, të dhënat mbi mënyrën se si këto zhvillime të lidhura me IA po prezantohen, menaxhohen dhe zbatohen në praktikë mbeten të kufizuara dhe të fragmentuara, gjë që e vështirëson vlerësimin e shtrirjes, koherencës dhe ndikimit të tyre në transparencë, llogaridhënie, respektimin e procesit të rregullt ligjor dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Për të kontribuar në një kuptim më të qartë të këtyre zhvillimeve, Partnerët Shqipëri po koordinon projektin rajonal “Decoding AI Power: Civic Engagement and Governance in the Western Balkans”. Kjo nismë hulumtuese, e mbështetur në të dhëna, shqyrton mënyrën se si IA-ja po prezantohet, përdoret dhe qeveriset në administratën publike të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi.
Hulumtimi në secilin vend shqyrton përdorimin e IA në një sektor të përzgjedhur: administratën tatimore në Shqipëri, prokurimin publik në Bosnjë dhe Hercegovinë, ofrimin e shërbimeve publike digjitale përmes platformës eKosova në Kosovë, shërbimet për qytetarët përmes chatbot-eve dhe asistentëve dixhitalë në Mal të Zi, arsimin në Maqedoninë e Veriut, dhe përdorimin e algoritmeve dhe IA-së në sistemin e mirëqenies sociale në Serbi.
Duke përdorur një metodologji të përbashkët, projekti ndërthur kërkimin dokumentar, identifikimin e institucioneve përkatëse dhe të roleve të tyre si dhe kërkimin në terren përmes intervistave dhe pyetësorëve me palët e interesit. Ai shqyrton nëse sistemet e IA-së përdoren në praktikën e përditshme të administratës publike, përtej fazës së pilotimit dhe njoftimeve politike. Gjithashtu, analizon qëllimet e përdorimit të tyre, mangësitë në ofrimin e shërbimeve që synojnë të adresojnë dhe përfitimet që pritet të sjellin. Projekti vlerëson edhe nëse legjislacioni dhe zbatimi i tij në praktikë ofrojnë garanci të mjaftueshme për përdorimin e përgjegjshëm të IA-së. Ai shqyrton gatishmërinë e institucioneve për të bashkëpunuar në mënyrë të strukturuar me shoqërinë civile, si dhe kapacitetet teknike dhe strategjike të organizatave për të monitoruar vazhdimisht këto zhvillime dhe për të kontribuar në politikë-bërje.
Gjetjet e gjashtë raporteve kombëtare do të shërbejnë si bazë për një analizë përmbledhëse rajonale, e cila do të identifikojë sfidat e përbashkëta dhe mundësitë për bashkëpunim, duke marrë parasysh dallimet ndërmjet konteksteve kombëtare. Një takim me ekspertë të fushës do të mundësojë shqyrtimin dhe gjetjet paraprake të hulumtimit.
Kjo nismë drejtohet nga Partnerët Shqipëri, në bashkëpunim me Qendrën Evropiane për të Drejtën Jofitimprurëse dhe ekspertë rajonalë, me mbështetjen financiare të Open Society Foundations – Western Balkans.