Hapet thirrja për aplikime në “Akademinë e Sipërmarrjes Sociale në Shqipëri” 2026
Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim ka shpallur thirrjen për pjesëmarrës për në “Akademinë e Sipërmarrjes Sociale në Shqipëri” 2026!
Akademia e Sipërmarrjes Sociale është një program i strukturuar për zhvillimin profesional të sipërmarrjeve sociale në Shqipëri, i cili synon të forcojë kapacitetet menaxheriale, financiare dhe strategjike të tyre, duke kontribuar në rritjen e qëndrueshmërisë dhe ndikimit të matshëm social.
Akademia synon të krijojë një brez sipërmarrësish socialë të pajisur me njohuri të thelluara mbi modelet e ekonomisë sociale; aftësi për ndërtimin e modeleve të qëndrueshme të biznesit; kompetenca në mobilizimin e burimeve financiare dhe investimeve me ndikim; sisteme profesionale të matjes dhe menaxhimit të ndikimit; kapacitete për inovacion dhe adaptim ndaj ndryshimeve të tregut. Programi synon të kontribuojë në ndërtimin e një ekosistemi më të fortë, më të integruar dhe më të qëndrueshëm të sipërmarrjes sociale në Shqipëri, në përputhje me zhvillimet dhe politikat e Bashkimit Evropian për ekonominë sociale.
Programi do të zbatohet gjatë periudhës prill – tetor 2026 dhe do të zhvillohet në format fizik. Akademia përbëhet nga 7 module tematike, të organizuara në formën e trajnimeve 1-ditore, me rreth 2 sesione në muaj.
Thirrja është e hapur për aplikantë që operojnë në fusha të lidhura me përfshirjen sociale, punësimin, ekonominë qarkulluese, tranzicionin e gjelbër/digjital, zhvillimin lokal, etj. dhe i përkasin kategorive të mëposhtme:
- Sipërmarrje sociale në Shqipëri
- Organizata jofitimprurëse me aktivitet sipërmarrës
- Biznese me mision social të qartë dhe ndikim të matshëm
- Iniciativa në fazë inkubimi me model të qartë sipërmarrjeje sociale
- Start-up me fokus në zgjidhje inovative për sfida sociale ose mjedisore
Informohuni më tepër rreth përmbajtjes dhe programit të Akademisë së Sipërmarrjes Sociale në Shqipëri në këtë Broshurë Informuese dhe aplikoni për të qenë pjesëmarrës nëpërmjet Formularit të Aplikimit elektronik.
Afati i fundit për aplikim për pjesëmarrësit është data 20 mars 2026!
Akademia e Sipërmarrjes Sociale vjen si një komponent i rëndësishëm i projektit “Invest for Change – I4CH”, një nismë që do të zbatohet gjatë viteve 2025-2029, në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe që synon zhvillimin e sipërmarrjeve me impakt përmes mbështetjes me instrumente financiarë dhe jo-financiarë; krijimin e një komuniteti investitorësh me ndikim në mbështetjen e tyre; ndërtimin e partneriteteve dhe lehtësimin e shkëmbimeve rajonale, si dhe ndërtimin e një dialogu politikash me politikëbërës dhe investitorë për të ndërtuar një ekosistem të qëndrueshëm për ekonominë sociale.
| Broshura e Akademisë së Sipërmarrjes Sociale në Shqipëri | Shkarko |