Eventi “Rrathë Dhurues 2025” – Thirrje për Aplikime drejtuar OJF-ve

Partnerët Shqipëri shpall thirrjen për aplikime për eventin “Rrathë Dhurues 2025” për të gjitha OJF-të që kanë një ide konkrete ose nismë në zbatim me synimin për të sjellë ndryshim social përmes përfshirjes së komunitetit.

Tre (3) idetë / nismat më të mira do të përzgjidhen për t’u prezantuar në ankandin e dhurimeve Rrathë Dhurues 2025 i cili do të do të zhvillohet në muajin tetor.


Çfarë është eventi “Rrathë Dhurues”?

Një mundësi unike për të vënë në jetë një ide që sjell ndryshim në komunitet!
Rrathë Dhurues (një model i prezantuar nga The Funding Network – TFN) është një aktivitet global i dhurimit të drejtpërdrejtë (live crowdfunding) që zhvillohet në 27 vende të botës, duke sjellë bashkë individë, biznese dhe organizata të shoqërisë civile në mbështetje të kauzave sociale me ndjenjë të lartë solidariteti dhe qytetarie aktive. Në Shqipëri, që prej vitit 2018, Partnerët Shqipëri si partner zyrtar i TFN ka zhvilluar 6 evente “Rrathë Dhurues”, përmes të cilave janë mbështetur 19 nisma komunitare, në vlerën totale prej 14,081,616 Lekësh.


Procesi i aplikimit dhe pjesëmarrja në event:

1. Kandidatët e interesuar janë të ftuar të aplikojnë duke plotësuar Formën e Aplikimit dhe Deklaratën e Mbështetësit dhe ta dërgojnë me email në adresën: filantropi@partnersalbania.org. Afati për dërgimin e aplikimeve është data 1 gusht 2025!

2. Përzgjedhja e 3 ideve / nismave më të mira të cilat synojnë sjelljen e një ndryshimi në komunitetet e targetuara. Tre idetë / nismat fituese që do të marrin pjesë në ankandin e dhurimeve duhet të përmbushin kriteret e mëposhtme:
• të adresojnë një nevojë konkrete dhe të kenë impakt të dukshëm në një komunitet apo komunitete të caktuara;
• të kenë mbështetjen e komunitetit dhe ta përfshijnë atë;
• të sigurojnë një mbështetës kryesor si pjesë e procesit të aplikimit, që beson tek nisma dhe kontribuon financiarisht apo në natyrë (pavarësisht shumës);
• të angazhohen në sigurimin edhe të mbështetësve të tjerë, që duhet të jenë pjesë e eventit.

3. Trajnimi i përfaqësuesve të nismave fituese për të realizuar një prezantim të suksesshëm të nismës gjatë gjithë periudhës që kërkohet mbështetje për realizimin e saj.

4. Prezantimi i idesë / nismës në event dhe përgjigje ndaj pyetjeve të audiencës brenda 12 minutave. Mbështetësi i çdo ideje do të prezantojë qëllimin e mbështetjes dhe do të motivojë audiencën që t’i bashkohet kësaj kauze.

5. Hapja e ankandit të dhurimeve: Moderatori i eventit do të ftojë audiencën të dhurojë për secilën nga idetë / nismat e përzgjedhura. Dhurimet do të llogariten live. Shuma e synuar për secilën ide është 300,000 lekë. Partnerët Shqipëri do të mbajë 10% të vlerës monetare të mbledhur për cdo kauzë, si kosto administrimi e procesit.

6. Promovimi i nismave të mbështetura përmes të gjitha kanaleve të komunikimit për të promovuar zbatimin dhe rezultatet e ndërhyrjeve.


Frymëzohuni nga nismat e mëparshme!

Që nga viti 2018, janë mbështetur 19 nisma në fusha si: edukimi dhe të drejtat e njeriut; aktivizmi rinor dhe mjedisi; shërbime për grupe në nevojë; turizëm, art, kulturë dhe sport; hapësira publike për të moshuarit; produkte artizanale nga fëmijë me aftësi të veçanta.

Këto nisma kanë sjellë ndryshime të qëndrueshme dhe të prekshme në jetën e shumë komuniteteve.

📖 Njihuni përmes kësaj broshure me nismat e mëparshme dhe frymëzohuni për të sjellë një nismë ndryshe.

Forma e Aplikimit Shkarko
Deklarata e Mbështetësit Shkarko